Lidhje

Edward Snowden, burimi që nxori informatat sekrete


Një teknik kompjuterash i CIA-s i cili kishte punuar si kontraktor për Agjencinë amerikane të Sigurisë Kombëtare deklaroi dje se ishte burimi i njoftimeve të gazetave që publikuan monitorimin e telefonatave dhe të përdorimit të internetit nga qeveria amerikane.

29-vjeçari Edward Snowden thotë se u kërkoi The Guardian dhe The Washington Post ta përmendnin atë me emër si burim informacioni. Ai u tha gazetave se nuk do të qendrojë i fshehur pasi është i bindur se nuk ka bërë ndonjë gabim.

"Por me kalimin e kohës, dijenia për gabimet shtohet së tepërmi dhe ti e ndjen se duhet të flasësh për këtë, megjithatë, sa më shumë të flasësh aq më shumë injorohesh, të përsëritet herë pas here se nuk është ndonjë problem, deri sa mbërrin në përfundimin se këto gjëra duhet të vendosen nga publiku, jo nga dikush që thjesht është marrë në punë nga qeveria”.

Snowden, i cili u largua nga Shtetet e Bashkuara për në Hong Kong muajin e kaluar, thotë se e ka të qartë se do të detyrohet të vuajë për veprimet e tij.

"Nuk mund t’i kundërvihesh agjencisë më të fuqishme të zbulimit në botë dhe të jesh tërësisht jashtë rrezikut, sepse ajo është aq e fuqishme sa që askush nuk mund ta kundërshtojë. Nëse ata duan të të kapin, ata do të të kapin në kohë”.

Snowden i tha gazetës The Washington Post se ai ka në plan të kërkojë strehim në një vend që beson në lirinë e fjalës dhe në privatësinë globale.

The Guardian njoftoi javën e kaluar se Agjencia e Sigurisë Kombëtare amerikane po merrte tabulatet telefonike të miliona amerikanëve. Kjo gazetë, së bashku me “The Washington Post”, njoftuan se një program i posaçëm kompjuterik, i quajtur PRISM i jep mundësi NSA-së dhe Byrosë Federale të Hetimeve, FBI-së, të kontrollojë shpërndarësit e kompanive të mëdha të Internetit.

Zyrtarët amerikanë nuk i kanë mohuar njoftimet. Ata thonë se askush nuk dëgjon thirrjet telefonike të qytetarëve dhe se të dhënat që ata kanë mbledhur kanë shërbyer për të parandaluar disa komplote terroriste.
Ai tha për gazetën The Washington Post se ka në plan të kërkojë strehim politik në çdo vend që beson në lirinë e fjalës dhe privacinë globale.
XS
SM
MD
LG