Lidhje

Nuland komenton për bisedimet Kosovë-Serbi


Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Victoria Nuland tha se i takon Kosovës të vendosë për llojin e autonomisë që kërkojnë një pjesë e serbëve në Veri. Ajo i bëri komentet sot në konferencën e zakonshme për gazetarët në Uashington.

"Siç e dini, ne e njohim Kosovën si shtet të pavarur, njohim tërësinë e saj territoriale, duke përfshirë Veriun. Natyrisht, i takon Kosovës të vendosë për llojin e autonomisë që kërkojnë një pjesë e serbëve në Veri. Të gjitha këto janë tema për të cilat baronesha Ashton është duke punuar, përfshirë çështjen e strukturave paralele serbe. Ne dëshirojmë të shohim një zgjidhje paqësore të këtyre çështjeve që të lejojë si Kosovën edhe Serbinë të lëvizin përpara në rrugën evropiane," tha zonja Nuland.

E pyetur nëse shikon ndonjë rol që mund të luajë Serbia në zgjidhjen e çështjes së serbëve etnikë në veriun e Kosovës, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit tha: natyrisht ne shohim një rol për Serbinë që t'ua bëjë të qartë serbëve në veri se ka ardhur koha për zgjidhjen e këtyre çështjeve.
XS
SM
MD
LG