Lidhje

Ndihmës Sekretarja e Shtetit Nuland në Kiev


Ndihmës Sekretarja amerikan e Shtetit, Victoria Nuland u takua sot me presidentin e Ukrainës, Viktor Janukoviç në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të krizës mes demonstruesve dhe qeverisë. Pamje të dhëna nga qeveria ukrainase tregonin takimin Nuland-Janukoviç në Kiev.

Zonja Nuland foli sot për gazetarët në Kiev, pas takimit të saj me Presidentin Janukoviç.
Ajo tingëlloi optimiste se një zgjidhje ishte e afërt kur u tha gazetarëve se zoti Janukoviç “e di se çfarë duhet të bëjë”.

“Ia bëra fare të qartë presidentit Janukoviç se ajo që ndodhi mbrëmë është absolutisht e papranueshme në një shtet evropian dhe demokratik. Shtetet e Bashkuara qëndrojmë me popullin ukrainas për drejtësi, dinjitetin human, për sigurinë, mbarëvajtjen ekonomike dhe për të ardhmen evropiane, që ju keni zgjedhur e që meritoni”.

Ndërkohë, kryeministri ukrainas, Mykola Azarov bëri një deklaratë po sot, duke thënë se policia nuk kishte përdorur forcën në përpjekjet për të larguar protestuesit nga kryeqyteti.

“Asnjëherë nuk është përdorur forca kundër protestuesve paqësorë. Ne thjeshtë po pastrojmë rrugët për ta bërë kryeqytetin më funksional për ambulancat dhe automjetet e ndihmës së shpejtë. Ne duhet të pastrojmë rrugët. Nëse keni harruar, është dimër dhe na duhet të pastrojmë rrugët”.

Protestuesit shpallën sot fitore, ndërsa policia u tërhoq pasi autoritetet hoqën disa tenda dhe barikada dhe u përleshën me demonstruesit që kishin pushtuar sheshin kryesor të Kievit gjatë natës.

Gjatë gjithë ballafaqimit u duk sikur policia ishte urdhëruar që të mos përdorte forcë të tepruar, ndryshe nga rrahjet e dhunshme të protestuesve gjatë javëve të fundit.

Protestat filluan nga mesi i muajit të kaluar kur Presidenti Janukoviç u tërhoq nga nënshkrimi i një marrëveshje, që do të përforconte marrëdhëniet ekonomike me Bashkimin Evropian, marrëveshje kjo që mbështetej nga gati 50 për qind e popullatës së vendit.

Zoti Janukoviç tha dje se do të rifillonte bisedimet me BE-në mbi marrëveshjen tregtare dhe politike. Ai la të kuptohet se ishte ende i gatshëm ta nënshkruante marrëveshjen në një takim të nivelit të lartë në pranverë, por vetëm nëse BE-ja mund të ofrojë kushte më të mira financiare.
XS
SM
MD
LG