Lidhje

Numër rekord vizitorësh në Festivalin e Lulëzimit të Qershive


Numër rekord vizitorësh në Festivalin e Lulëzimit të Qershive
Numër rekord vizitorësh në Festivalin e Lulëzimit të Qershive

Festivali Kombëtar i Lulëzimit të Qershive shënon ardhjen e pranverës në kryeqytetin Uashington. Ngjarja dy-javore zhvillohet në Basenin Tidal, një grykë përgjatë lumit Potomak. Festivali tërheq më shumë se një milion vizitorë çdo vit dhe reflekton marrëdhëniet e mira mes Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë. Pemët janë dhuruar nga kryetari i bashkisë së Tokios në vitin 1912. Pas krizës së shkaktuar nga tërmeti dhe cunami i fundit, këtë vit vizitorët kanë Japoninë në mendje më shumë se kurrë më parë.

Fotografi, shëtitje me biçikleta apo thjesht ecje përgjatë pemëve të qershive – vizitorët po përshëndesin ardhjen e pranverës dhe Festivalin e përvitshëm të Lulëzimit të Qershive.

“Është fresk. Por kemi dalë sot për të qënë pjesë e ditës së parë të festivalit. Është shumë bukur”.

Wendy Kunze dhe familja e saj kanë ardhur në festival për herë të parë. Ajo thotë se i pëlqejnë shumë qershitë e çelura dhe mendja e saj është tek njerëzit në Japoni.

“Iu shpreh ngushëllime. Duam t’i falenderojmë japonezët për këtë dhuratë të bukur të pemëve të qershive kohë më parë.”

Jen Clarke ka ardhur gjithashtu me familjen e saj. Ajo shpreson që populli japonez të mëkëmbet shpejt nga tërmeti i 11 marsit dhe cunami.

“Është një kujtesë e mirë e marrëdhënieve që kemi tani me Japoninë. Iu uroj çdo të mirë dhe shpresoj që ta marrin veten shpejt.”

Festivali Kombëtar i Lulëzimit të Qershive është një ritual i përvitshëm i pranverës në Uashington. Ai feston dhurimin e më shumë se 3 mijë pemëve të qershive nga qyteti i Tokios gati 100 vjet më parë.

Festivali përfshin interpretime të përditshme në skenat përgjatë basenit Tidal si dhe fluturimin e balonave, aktivitete për fëmijët e shumë të tjera.

Diana Mayhew është presidente e festivalit. Ajo thotë se është festë, megjithatë, disa ngjarje po bëhen pa shumë zhurmë.

“Në çdo aktivitet do të kemi momente kujtimi si dhe do t’i inkurajonim njerëzit që vijnë në festivalin falas për publikun të kontribuojnë në Fondacionin e Ndihmave për Japoninë.”

Dy ditë para hapjes, organizatorët ftuan njerëz në monumentin Qëndroni me Japoninë në Uashington si pjesë e një përpjekjeje për grumbullimin e fondeve. Qindra njerëz morën pjesë gjithashtu në një shëtitje përreth Basenit Tidal për të treguar mbështetjen e tyre.

Gjatë ceremonisë hapëse të festivalit, ambasadori japonez në Uashington tha se Japonia do t’u jetë gjithnjë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara.

“Shtetet e Bashkuara ishin të parat që dërguan ekipe shpëtimi. Populli amerikan, kompanitë dhe OJQ-të kanë shprehur ngushëllime dhe na kanë ndihmuar. Ne vërtet e vlerësojmë këtë.”

Organizatorët thanë se më shumë se 14 mijë njerëz, një rekord ky, morën pjesë në ditën e parë të festivalit dhe ceremoninë hapëse.

“Besoj se do të vijnë shumë njerëz në festival këtë vit. Shumë duan të tregojnë mbështetjen e tyre për Japoninë.”

Mayhew thotë se faqja elektronike e festivalit lidhet direkt me Kryqin e Kuq amerikan në mënyrë që njerëzit të kontribuojnë në përpjekjet e shpëtimit. Ajo thotë se Lulëzimi i Qershive simbolizon rilindjen, ripërtëritjen dhe tani rindërtimin e Japonisë.

XS
SM
MD
LG