Lidhje

Libri me krimet kundër shqiptarëve

  • Ilir Ikonomi

Studiuesi nga Kosova, Nusret Pllana, paraqiti dje në Uashington një libër me titull “Terrori i Sërbisë pushtuese mbi shqiptarët”. Me anë të qindra fotografive, shumica të rënda për syrin, libri përshkruan një histori mjaft të dhimbshme të Kosovës, për të cilën autori thotë se u duhet treguar brezave të rinj. Njofton kolegu ynë Ilir Ikonomi.

Zoti Pllana thotë se disa nga masakrat kundër shqiptarëve i ka parë me sytë e tij dhe i ka dokumentuar vetë, kur ka punuar si gazetar në Radion Kosova e Lirë gjatë konfliktit të vitit 1999. Ai thotë se megjithëse për krimet në Kosovë është folur shumë, ato nuk janë dokumentuar në mënyrë të mjaftueshme:

“Fatkeqësisht opinioni nuk është i sensibilizuar sa duhet, sepse ne shqiptarët nuk e kemi pasur shumë me qejf ruajtjen e dokumentacionit dhe të arkivave. Tani fjalën e kanë arkivat, dokumentet, xhirimet dhe fotografitë, domethënë dokumentet faktografike, të cilat flasin më shumë se fjala. Presidenti Klinton gjatë vizitës në Kosovës në vitin 2003 tha se një fotografi flet më shumë se njëmijë fjalë dhe në këtë libër janë më tepër se 400 fotografi dokumentare.”



Kjo veprimtari është organizuar nën kujdesin e Vatrës, dega e Uashingtonit. Autori thotë se autoritetet qeveritare në Kosovë e kanë ndihmuar deri në një farë mase projektin e tij, por pjesa kryesore e financimit ka ardhur nga ai vetë dhe nga miqtë e tij.

Ky është një botim luksoz, i shtypur bukur dhe teksti që shoqëron fotografitë është i përkthyer në disa gjuhë të huaja.

Por pjesa më e madhe e fotografive janë mjaft të rënda për syrin, nga ato që përdoren në ekspertizat mjeko-ligjore, prandaj ne nuk mund t’i tregojmë këtu për shikuesin. Autori thotë se i ka përfshirë në libër për të treguar se sa të dhimbshme kanë qenë krimet kundër shqiptarëve.

“E pabesueshme. Unë vetë kur e kam lexuar librin nuk kam mundur të fle dy netë me radhë. Është e pabesueshme”, thotë Eduard Bucaj, biznesmen nga Virxhinia.

Por nuk bëhet fjalë vetëm për krimet e konfliktit të vitit 1999. Zoti Pllana bashkë me një komision që është marrë me botimin e librit, ka mbledhur fotografi që dokumentojnë ato që ai i quan krime të Serbisë ndaj shqiptarëve gjatë një periudhe rreth 150 vjeçare, duke filluar nga viti 1844:

“Është e pashembullt në historinë botërore, që një shtet, në bashkëpunim me Kishën Ortodokse serbe dhe me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, brenda 150 viteve të thurë më tepër se 28 elaborate për zhdukjen kolektive të popullit shqiptar nga faqja e dheut”.


Promovimi i librit u bë në një nga sallat e Kongresit amerikan, me përkrahjen e zyrës së ligjvënësit nga Virginia, Frank Wolf.

“Këtu, në ndërtesën e Kongresit amerikan që për ne shqiptarët është një ndërtesë e shenjtë, ngase nga këtu, personalitet më të njohura botërore të Amerikës sonë mike kanë nxjerrë dhe miratuar vendimin më të rëndësishëm për historinë e shqiptarëve ndonjëherë: ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë më 24 mars 1999”.

Zoti Pllana kritikon atë që e quan prirje për të barazuar viktimën me kriminelin:

“Kosova nuk kërkon hakmarrje, por ajo përcjell një mesazh: krimineli dhe viktima të mos barazohen kurrë. Nëse nuk duam që një ditë terrori sërb mbi Kosovën të përsëritet, ndërkombëtarët kanë një provë tjetër ndoshta më të vështirë se lufta me armë: të jenë deri në fund të drejtë me shqiptarët”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG