Lidhje

Nxënësit amerikanë të shkollave të mesme të stresuar nga provimet

  • Rossane Skirble

Nxënësit amerikanë të shkollave të mesme të stresuar nga provimet

Nxënësit amerikanë të shkollave të mesme të stresuar nga provimet

Një eksperte e arsimit në Shtetet e Bashkuara e cila kohët e fundit ka botuar një artikull në revistën “Shkenca”, thotë se të rinjtë e shkollës së mesme po dëmtojnë jetën e tyre premtuese. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Rosanne Skirble, autorja pretendon se “gara për të dal në krye” ka kompromentuar “mirëqenien e studentëve dhe ka hequr kënaqësinë e të mësuarit.

Deborah Stipek është dekane e Shkollës së Arsimit në Universitetin e Stanfordit dhe eksperte në motivimin e studentëve për të mësuar. Ajo thotë se prirja në shumë shkolla të larta është “mësimi përmes testeve”, një fakt që ajo e di nga vajza e saj. E gëzuar pas përfundimit të provimit të fundit të programit AP për të kaluar një kurs të nivelit universitar të frëngjishtes, ajo i tha nënës së saj se ishte e lumtur që kurrë më nuk do të flasë frëngjisht.

“Unë mendoj se kjo zbuloi thelbin e vërtetë të problemit, pra problem është programi AP, pasi kurset e frengjishtes që ajo ka përfunduar nuk janë për mësimin e frengjishtes, pra për të mundësuar komunikimin me një kulturë të ndryshme, për të udhëtuar, apo për të patur një aftësi që mund të jetë e dobishme në jetë. Por thjesht ky kurs ishte për marrjen e një rezultati të një provimi që do t’i ndihmojë asaj të zgjedhë universitetin në të cilin ajo dëshiron të shkojë”.

Në një anketë kombëtare të vitit 2010 me studentët e vitit të parë në universitet të kryer nga Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos, 29 për qind thanë se ishin të tronditur nga ngarkesa e rëndë e studimeve në vitin e fundit të shkollës së mesme.

Ky numër u rrit me dy pikë nga viti i mëparshëm. Zonja Stipek thotë se studentët janë të stresuar, dhe kanë arsye të mira për ta theksuar këtë.

“Ata nuk janë duke shijuar atë që mund jetë kënaqësi e pabesueshme nga të mësuarit dhe zhvillimin e të kuptuarit dhe të aftësive. Të mësuarit mund të jetë një aventurë, por në vend që të jetë një aventurë, të mësuarit në thelb është bërë thjeshtë një provë. Një provë që lidhet me aplikimin për t’u pranuar në universitet”.

Dokumentari i vitit 2009 “Race to Nowhere” , shqip “Gara për Askund”, jep një kronologji të pakënaqësive në mesin e të rinjve, prindërve të tyre dhe mësuesve.

“Isha intervistuar në këtë dokumentar, si shumë të tjerë, dhe unë mendoj se intervistat më bindëse ishin ato të studentëve. Këta studentë ishin ata të cilët janë ndjerë nën presion të madh për të dhënë rezultate, pra sipas mendimit tim i kushtohet më shumë rëndësi dhënies së rezultave, sesa procesit të të mësuarit”.


Nxënëse: “Unë nuk mbaj mend herën e fundit kur kam patur një rast për të luajtur në oborrin e shtëpisë”.

Nxënës: “Shkolla ishte presion aq i madh, sa që çdo ditë zgjohesha me mërzi për të shkuar në shkollë”.

Nxënëse: “Unë shpenzoja gjashtë orë çdo natë duke bërë detyrat e shtëpisë”.
Nxënës: “Ne duhet të pranohemi në shkollat më të mira”.

Nxënëse: “Ne duhet t’u nënshtrohemi provimeve dhe intervistave”.

Zonja Deborah Stipek e Universitetit të Stanfordit thotë se arsimtarët duhet të fillojnë të ndryshojnë politikën ndaj detyrave të shtëpisë, të punojnë në përshtatjen e studentët me kolegjet që përkojnë me interesat e tyre dhe duhet t’i kushtojnë vëmendje asaj që thonë nxënësit.


“Një nga gjërat që shkollat janë duke bërë dhe ne po bashkëpunojmë me to, është organizimi i anketave vjetore me studentët, për të gjetur se kush janë burimet e stresit dhe ankthit dhe për të marrë idetë e tyre në atë që shkollat mund të bëjnë, çfarë lloj politikash duhet të ndjekin. Kjo ka qenë një gjë shumë e mirë sepse ne kemi shkuar edhe në shkollat ku thuhet se nuk ka ekzistuar një problem i tillë. Pastaj ata zhvillojnë një anketë me studentët dhe habiten nga ajo që thonë ata.”

Zonja Stipek shton se arsimtarët dhe prindërit - duhet të reagojnë, duke i ndihmuar nxënësit për të evidentuar interesat e tyre, angazhimin dhe aftësitë intelektuale, dhe në të njëjtën kohë për të pakësuar stresin e tyre. Përndryshe, thotë ajo, rrezikon të shkatërrohet entuziazmi i të rinjve për të mësuar. Artikulli i studjueses Deborah Stipek është botuar në revistën “Shkenca”.

XS
SM
MD
LG