Lidhje

Bursa e Nju Jorkut është pjesë e pandarë e historisë së Amerikës që prej fillimeve të saj modeste në vitin 1792. Sot ajo gëzon statusin si tregues i ekonomisë botërore. Le t'i hedhim një sy kësaj burse dhe historisë së saj.

Bursa e Nju Jorkut është një monument i kapitalizmit amerikan dhe i tregut të lirë. Është gjithashtu më e madhja e botës, që menaxhon rreth 16 triliardë dollarë kapital të kompanive të listuara.

“Ali Baba”, platforma më e madhe komerciale në internet me qendër në Kinë, ishte oferta më e madhe publike në historinë e kësaj burse. Komisioneri i bursës në Wall Street, Jonathan Corpina, ishte i pranishëm kur u shpall kjo ofertë:

“Ishte fitore e madhe që morëm ofertën e firmës ‘Ali Baba’. Njerëzit ndoshta harrojnë se kjo është ajo që ne bëjmë çdo ditë. Hapim dhe mbyllim stoqet dhe ndjekim ecurinë e çmimeve.”

Dikur, dyshemeja e mbuluar me letra e godinës historike ishte tregues se si kishin shkuar shitblerjet në bursë.

Tani, shkëmbimet bëhen në mënyrë të kompjuterizuar dhe mbikqyren në çdo kohë, sa herë që ka një blerës dhe një shitës. Bursa ofron hapësirën, mbikqyrjen dhe mekanizmin për të bashkuar blerësit me shitësit, duke menaxhuar kështu tregëtimin për institucionet botërore dhe publikun e gjerë.

Bursa mori hov pas Luftës së Dytë Botërore, një ndryshim i thellë krahasuar me panikun e periudhës së Depresionit të Madh.

“Turma e jashtëzakonshme është mbledhur jashtë për shkak të kolapsit më të madh në historinë e Bursës së Nju Jorkut”, dëshmojnë edicionet e lajmeve të asaj kohe për ditët e hidhura kur bursa u mbyll përkohësisht pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Në dhjetor 2013, Bursa e Nju Jorkut u ble nga “Intercontinental Exchange”, një kompani e madhe e tregëtisë elektronike me bazë në Atlanta.

“Ka patur një historik të mbylljes së bursave, por që nuk mendoj se do të ndodhë këtu. Në fakt blerja e saj është më tepër një mjet promocional për të tërhequr më shumë biznese dhe prandaj e blenë”, thotë John O’Shea, ish-anëtar i bursës.

Sot, agjensitë e lajmeve e përdorin Bursën si një bazë raportimi për tregjet amerikane dhe për kompanitë më të mira kur ato nderohen gjatë ceremonisë së çeljes dhe mbylljes së bursës. Ka një shqetësim se kultura e vjetër e Bursës së Nju Jorkut mund të zhduket me pronësinë e re të saj. Por, siç thotë Julia Ott, këto probleme janë të zgjidhshme.

“... bursa është pjesë e Nju Jorkut, dhe vetë Nju Jorku është pjesë e bursës. Në fund të fundit, edhe nëse kompjuterat janë në qendër të mënyrës se si kryhet tregëtimi, sërish njerëzve u duhet ndërveprimi me njëri-tjetrin.”

Sfida është se si të ruhet tregëtimi i aksioneve si një aktivitet njerëzor dhe jo vetëm si proçes i automatizuar që po dominon gjithnjë e më shumë shkëmbimet në Wall Street. Proçesi i kompjuterizimit i ka lënë të zbrazëta bursat në Londër, Tokio dhe qytete të tjera. Por, Bursa e Nju Jorkut vazhdon të ofrojë aspektin njerëzor për kompanitë e regjistruara dhe për investitorët ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG