Lidhje

Reagime ndaj vizitës së pres. Obama në Hiroshima


Presidenti amerikan Barack Obama këtë muaj do të vizitojë Hiroshimën, gjatë udhëtimit të tij në Japoni ku do të marrë pjesë në takimin e grupit të shtatë vendeve më të industralizuara të botës, G-7. Presidenti Obama ka të ngjarë të përdorë këtë vizitë për të përqendruar vëmendjen e botës në kërcënimin në rritje të programit bërthamor të Koresë së Veriut, që pritet të jetë një ndër pikat e rendit të ditës në takimin e G-7. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden të mbijetuarit e sulmit bërthamor në Hiroshima presin nga zoti Obama ndoshta jo të kërkojë falje, por të pranojë shkatërrimet dhe vuajtjet e shkaktuara nga përdorimi i armëve bërthamore kundër Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Më 6 gusht 1945, Shtetet e Bashkuara lëshuan bombën e parë atomike në botë në Hiroshima, duke vrarë rreth 140 mijë njerëz, përfshirë ata që vdiqën më vonë nga ekspozimi ndaj rrezatimit.

Sot Parku Përkujtimor i Paqes në Hiroshima, që ndodhet në epiqendrën e shpërthimit, është një simbol kujtimi për ata që vuajtën dhe vdiqën nga sulmi bërthamor.

Disa nga të mbijetuarit e sulmit bërthamor, si 79-vjeçarja Keiko Ogura, duan që Presidenti Obama të vijë këtu dhe të pranojë pasojat katastrofike të përdorimit të armëve bërthamore:

"Para se të vdes dua ta shoh presidentin në sy. Kjo nuk do të thotë që po kërkoj një ndjesë prej tij. Por si një qenie njerëzore që qëndron së bashku me të tjerët në vendin ku ka ndodhur sulmi, duke u lutur për të vdekurit".

Muzeu brenda parkut ka ruajtur fotografi dhe objekte të shpërthimit dhe shkatërrimit të shkaktuara nga sulmi i parë me bombë atomike në botë.

Zonja Ogura, e cila ishte vetëm tetë vjeç në kohën e sulmit, thotë se ajo ishte 2.5 kilometra larg epiqendrës së shpërthimit dhe forca e shpërthimit ende e kishte rrëzuar atë në tokë:

"Kur rimora veten, gjithçka ishte në errësirë, nuk mund të shihja asgjë dhe pastaj ishte një qetësi".

Sunao Tsuboi u fotografua nga një gazetë lokale në ditën e sulmit ndërkohë që ai ishte mbledhur me një grup të mbijetuarish. Ai përshkruan vuajtjet nga djegiet dhe kujton momentin e rëndë të ecjes mbi një grumbull kufomash për të mbijetuar:

"Ata ishin të gjithë të vdekur, por në mesin e tyre një person ishte ende i gjallë. Ai më qortoi mua me zë të lartë".

Nga pikëpamja e fituesve, bombat atomike shpëtuan jetën e shumë trupave amerikane dhe i dhanë fund luftës.

Por ato gjithashtu vranë mijëra civilë të pafajshëm, dhe shumë të tjerë vdiqën në muajt dhe vitet pasuese nga forma të ndryshme të kancerit të shkaktuara nga ekspozimi ndaj rrezatimit.

Këta të mbijetuar shpresojnë se vizita e Presidentit Obama në Hiroshima nuk do të ringjallë debatin mbi vendimin amerikan të kohës së luftës për përdorimin e bombës atomike, por do të forcojë angazhimin ndërkombëtar për eliminimin e të gjitha armëve bërthamore në të ardhmen.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG