Lidhje

Fokusi i presidentit Obama gjatë vizitës në Afrikë


Presidenti Barack Obama dhe familja e tij nisen sot për në Senegal, ndalesa e parë e një udhëtimi një javor në Afrikë, gjatë të cilit ata do të shkojnë edhe në Afrikën e Jugut e Tanzani. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dan Robinson njofton se në fokus të udhëtimit të zotit Obama do të jenë çështje si përparimi demokratik, tregtia dhe investimet, zhvillimi dhe shëndetësia.

Gjatë një vizite të shkurtër në Gana në vitin 2009, presidenti Obama foli rreth sundimit të ligjit, mundësive ekonomike, sfidave shëndetsore dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve.

Me një gjuhë të hapur, ai tha se Afrika nuk mund të lejojë më "stilin e vjetër të qeverisjes" të shoqëruar me korrupsionin dhe abuzimin e lirive civile, prandaj i bëri sfidë rinisë së Afrikës:

“Kjo është ajo që duhet të dini. Bota do të jetë ajo për të cilën punoni dhe dëshironi ju. Ju keni fuqinë t’i mbani përgjegjës udhëheqësit tuaj dhe të ndërtoni institucione që i shërbejnë popullit”.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë e pranojnë se fakti që presidenti nuk kishte shkuar më parë në Afrikë ka shkaktuar pakënaqësi mes shumë afrikanëve. Ish zyrtari i lartë për Afrikën në administratën e Presidentit Bush, Jendayi Frazer, që tani punon në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se shumë qytetarë dhe udhëheqës afrikanë kanë mbetur të zhgënjyer.

“Ata janë të pakënaqur që presidenti nuk është angazhuar më shumë me ta, se nuk ka zhvilluar dialog me ta dhe administrata e tij nuk ka pasur një ndikim më të madh, veçanërisht po të krahasohet me angazhimin e madh që vjen nga Kina”.

Zoti Obama po ndryshon formën e ndihmës globale amerikane si dhe programet në aspektin e shëndetsisë. Në takimin e G8s vitin e kaluar ai njoftoi një nismë të re për sigurinë ushqimore. Zoti Obama ka intensifikuar gjithashtu lidhjet e sigurisë me qeveri të vendeve afrikane, madje pritet të flasë rreth kërcënimit të grupeve ekstremiste rajonale.

Grant Harris, drejtor i çështjeve afrikane në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, hedh poshtë nocionin se Shtetet e Bashkuara kanë "militarizuar" marrëdhëniet mbi kontinentin e Afrikës.

“Advancimi i paqes dhe sigurisë është një objektiv themelor i politikës së jashtme amerikane, por është edhe pjesë e qëndrimit për të forcuar institucionet demokratike, për të nxitur zhvillimin ekonomik, tregtinë dhe investimet si dhe nxitjen e mundësive dhe zhvillimit”.

Nën drejtoresha e degës së Uashingtonit të organizatës Human Rights Watch, Sarah Margon thotë se udhëtimi i zotit Obama në Afrikë zhvillohet në një kohë sfidash të mëdha për të drejtat e njeriut dhe liritë civile.

“Ne kemi parë disa zhvillime të rëndësishme në disa vende, që janë për t’u lavdëruar: Senegali është një shembull shumë i mirë ku gjërat kanë ecur përpara në drejtimin e duhur, ndërkohë që Uganda, për shembull, ka ecur në drejtim të gabuar për sa i përket shtypjes së mediave dhe grupeve të shoqërive civile”.

Në Afrikën e Jugut, zoti Obama ka në plan të zhvillojë një takim të hapur me publikun në Soveto, ku do të marrin pjesë të rinj nga i gjithë kontinenti. Në Universitetin e Kejp Taunit, ai do të mbajë atë që zyrtarët e quajnë fjalim kryesor të udhëtimit të tij, gjatë të cilit do të flasë rreth politikës amerikane për Afrikën.

Tregtia dhe investimet do të jenë në qendër të ndalesës së fundit të zotit Obama në Tanzani. Ai do të vizitojë gjithashtu një memorial në Dar es Salaam në kujtim të atyre që humbën jetën në vitin 1998, kur al-Kaida hodhi në erë ambasadën amerikane në këtë qytet.
XS
SM
MD
LG