Lidhje

Obama: 10 vjet pas 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara qendrojnë ende vigjilente

  • Kent Klain

Obama: 10 vjet pas 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara qendrojnë ende vigjilente

Obama: 10 vjet pas 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara qendrojnë ende vigjilente

Ish presidentët e Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush dhe Bill Klinton ishin në Shanksvill të Pensilvanisë për ceremoninë e dedikimit të një memoriali për viktimat e Fluturimit 93 të linjës ajrore United që u përplas në një fushë gjatë sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2011.

Memoriali është prej gurri të bardhë dhe kujton përpjekjet e udhëtarëve dhe ekuipazhit të Fluturimit 93 për të mposhtur rrëmbyesit dhe për të penguar realizimin e objektivit të tyre.

Zoti Bush tha se vendimi i udhëtarëve për t’u përleshur me rrëmbyesit frymëzoi “shpirtin e shërbimit” tek amerikanë të tjerë pas sulmeve. Ai e karakterizoi gjithashtu atë si “kundër ofensivën e parë në luftën kundër terrorit”.

Ish presidenti Klinton e falenderoi zotin Bush dhe administratën e tanishme për mbrojtjen e vendit nga sulme të mëtejshme. Edhe ai vlerësoi kurajon e 40 udhëtarëve dhe anëtarëve të ekuipazhit, duke u shprehut thjesht: “Ata bënë atë që duhej”.

Në ceremoni ishte gjithashtu i pranishëm nënpresidenti Xho Bajden.

Në Uashington, Presidenti Barak Obama shënoi 10 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 duke nderuar kujtimin e atyre që humbën jetën dhe shprehur respektin e tij për forcat e armatosura amerikane.

Ndërkaq, ish kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Rudi Xhuliani tha se Amerika është më sigurt sot se sa më 11 shtator 2001, por jo aq e sigurt sa duhet të ishte. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain nga sjell hollësi nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Obama dhe e shoqja, Mishellë, bënë një vizitë dje në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit për të shprehur respektin për personelin e ushtrisë që kanë dhënë jetën në Irak dhe Afganistan. Ata u shprehën ngushëllime atyre që vizitonin varret e të afërmve të tyre.

Në fjalimin e tij javor në Internet, zoti Obama tha se amerikanët do të mbrojnë vendin e tyre në emër të atyre që vepruan heroikisht në Qendrën Botërore të Tregtisë, në Pentagon dhe avionin e shoqësirë United, Fluturimi 93 që u pëplas në një fushë të Pensilvanisë.

"Dhjetë vjet më parë, qytetarët e thjeshtë amerikanë na treguan kuptimin e vërtetë të kurajos, kur u ngjitën shkallëve përmes flakëve, apo në kabinën e pilotit. Në dekadën që pasoi, një brez i ri amerikanësh janë mobilizuar që ne të jemi të sigurt. Në kujtim të tyre, në emrin e tyre, ne nuk do të lëkundemi asnjëherë”.

Presidenti tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janëmë të forta sot se sa 10 vjet më parë dhe al-Kaida, e cila i organizoi këto sulme është në rrugën e mposhtjes.

"Ata deshën të na terrorizonin, por si amerikanë, ne refuzojmë të jetojmë me frikë. Është e vërtetë që ne kemi përballë armiq të vendosur dhe nuk kam asnjë dyshim se ata do vazhdojnë të përpiqen të na sulmojnë përsëri. Por ashtu siç po e tregojmë përsëri këtë fund jave, ne jemi vigjilentë”.

Presidenti iu referua atij që autoritetet thonë se është një kërcënim i besueshëm, por i pakonfirmuar, i planifikuar të përkojë me përvjetorin e dhjetë të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, sot.

Masat e sigurimit janë shtuar në Uashington dhe Nju Jork. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Xhenet Napolitano u ka bërë thirrje amerikanëve të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo lëvizje të dyshimtë.

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton tha të premten se al-Kaida qendron pas këtij kërcënimi.

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara e kanë intensifikuar luftën kundër al-Kaidës dhe në muajin maj vranë Osama bin Ladenin. Ai tha gjithashtu se administrata e tij po punon për të përmirësuar sigurinë e porteve, aeroporteve dhe kufijve, si dhe po krijon partneritete të reja me vende të tjera për t’iu përgjegjur sfidave globale të sigurimit.

Në fjalimin javor të Partisë Republikane, ish kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Rudi Xhuliani tha se Amerika është më e sigurt sot se sa ishte më 11 shtator, por jo aq e sigurt sa duhet të jetë.

Xhuliani u vlerësua shumë për udhëheqjen e Nju Jorkut në ditët pas sulmeve. Ai bëri një fushatë të shkurtër për president në vitin 2008 dhe thuhet se po shikon mundësinë për të konkuruar përsëri në vitin 2012.

Xhuliani tha dje se afatet që ka vënë administrata Obama për t’i dhënë fund angazhimit amerikan në Irak dhe Afganistan po i pengojnë forcat e armatosura të realizojnë objektivin e tyre.

"Siguria e Amerikës kërkon një prani afatgjatë ushtarake në ato pjesë të botës ku njerëz dhe organizata të caktuara komplotojnë për të na vrarë. Afatet nuk duhet të përcaktohen nga kalendari i nevojave politike, por kur ne të kemi eliminuar kërcënimet e organizimit të sulmeve ndaj nesh nga ato pjesë të botës”.

Megjithatë, Xhuliani u shpreh dakord me presidentin se sulmet e 11 shtatorit nuk ia arritën qëllimit për të shkatërruar shpirtin amerikan.

"Vendi nuk u thye, por përkundrazi, ka qënë më i bashkuar në ditët pas 11 shtatorit se sa asnjëherë më parë. Ne treguam shpirtin tonë heroik në shumë forma, por ndoshta më heroiku ishte uniteti shpirtëror që ne ndajmë si amerikanë. Populli amerikan demonstroi një nga vlerat e tij themelore, dashurinë për lirinë dhe vlerësimin që ne i bëjmë jetës njerëzore”.

Presidenti Obama dhe zonja Obama do të marrin pjesë dot gjatë gjithë ditës në ceremonitë përkujtimore të 11 shtatorit. Ata do të shkojnë fillimisht në Nju Jork, ku do të jenë të pranishëm edhe Presidenti Xhorxh Bush dhe personalitete të tjera.

Pastaj ata do të shkojnë në Shanksvill të Pensilvanisë për të vënë një kurorë lulesh në memorialin kushtuar atyre që vdiqën në Fluturimin 93. Besohet se udhëtarët e atij avioni parandaluan përplasjen e avionit në një nga monumentet e Uashingtonit.

Çifti presidencial do të kthehe pastaj në Uashington për një vendosur një kurorë në Pentagon. Dita e tyre do të mbyllet me një fjalim të presidentit në një koncert përkujtimor në qendrën Xhon F. Kenedi të Arteve Skenike në Uashington.

XS
SM
MD
LG