Lidhje

Presidenti Obama, dialog me të rinjtë afrikanë


Presidenti Barak Obama i ftoi në dialog të rinjtë nga Afrika e Jugut dhe tre vende të tjera afrikane dje, duke iu përgjigjur pyetjeve për çështje që nga rritja ekonomike e deri tek anti-ekstremizmi. Presidenti dukej i qetë dhe plot energji gjatë dialogut me të rinjtë e mbledhur në mjediset e Universitetit të Johanesburgut në Soweto.
Afrika është në lëvizje, tha presidenti, por ndeshet me sfida të mëdha që nuk mund të injorohen. Të rinjtë afrikanë, tha Presidenti, do të marrin në dorë udhëheqjen.

“Ndërkohë që shumë afrikanë ende ndeshen me vështirësi tepër të mëdha dhe padrejtësi të shumta, një Afrikë e re, më e begatë, plot vetëbesim, po zë vendin e vet në arenën botërore. Një ndër arsyet për këtë është brezi juaj”.

Duke nderuar heronjtë e anti-aparteidit, përfshirë ish-Presidentin Nelson Mandela dhe Arqipeshkvin Desmond Tutu, zoti Obama kujtoi Hector Pieterson-in, një djalë të vrarë nga zjarri i policisë gjatë një proteste në 1976.

“Gjatë vizitës sime në Afrikën e Jugut, pata rastin të bëj nderime në përkujtimoren për Hector Pietersonin, një djalë afrikan që tundi botën. I prekur nga sakrifica e të gjithë atyre që u ngritën para nesh, që ne të kemi mundësinë të jemi sot të lirë, unë ndjehem i nderuar që kthehem në Soweto si Presidenti i Shteteve të Bashkuara”.

Më pas pjesëmarrësit ngritën pyetje nga më të ndryshmet që nga nevoja për qeveri të përgjegjshme e deri tek ndryshimet klimatike. Një grua nga Nigeria pyeti:

“Duke pasur parasysh sa ka zgjatur lufta kundër terrorizmit, a mund të thoni se po e fitoni luftën, ndërkohë që grupe të reja terroriste po shfaqen në Afrikë?

Zoti Obama tha se grupe si Boko Haram po shkaktojnë dëm të konsiderueshëm, duke shfrytëzuar qeveri të dobëta afrikane. Shtetet e Bashkuara, tha ai, po ndihmojnë qeveritë afrikane të zhvillojnë kapacitetet për të luftuar terrorizmin.
Në përgjigje të një pyetjeje nga Kenia, zoti Obama tha se afrikanët kanë filluar të kërkojnë nga qeveritë e tyre të mbahen përgjegjëse:

“Po fillojmë të shohim gjithnjë e më shpesh një standard të ri që po hedh rrënjë në Afrikë. Janë rritur kërkesat për mënyrën si duhet të funksionojë qeveria, për faktin se qeveria duhet t’i shërbejë të mirës publike dhe jo interesit të një grushti njerëzish”.

Më parë Presidenti Obama dhe Presidenti Jacob Zuma diskutuan mbi konfliktin në Republikën Demokratike të Kongos, situatën politike në Zimbabve dhe përparimin e bërë në Afrikën e Jugut në luftën kundër Sidës.

Zoti Obama nuk shkoi për të vizituar ish-presidentin Nelson Mandela, i cili ndodhet në spital prej më shumë se 20 ditësh. Ai zhvilloi një takim privat me vajzat dhe nipat e zotit Mandela, si dhe foli me telefon me të shoqen e zotit Mandela.

Sot Presidenti, Zonja e Parë dhe dy vajzat e çiftit shkojnë në Kejptaun, ku ai do të mbajë një fjalim të rëndësishëm ku pritet të prezantojë synimet e tij për të rritur investimet dhe për të fuqizuar rininë afrikane që të marrë në dorë të ardhmen e kontinentit.
XS
SM
MD
LG