Lidhje

Shtohet prania e ushtrisë amerikane në Afrikë


Vizita e presidentit Barak Obama në Afrikë thekson zgjerimin e angazhimit ekonomik dhe tregtar të Uashingtonit në këtë kontinent. Në të njëjtën kohë, prania ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Afrikë është rritur ndërkohë që kërcënimet terroriste po shtohen në mbarë rajonin.

Përhapja e grupeve militante në rajonet e Afrikës Perëndimore, si në Mali ku më parë ato nuk ishin të pranishme, e kanë bërë ushtrinë amerikane t’i kushtojë më shumë vëmendje rajonit dhe të shtojë praninë përmes programeve të ndryshme si ato për stërvitjen e njësive afrikane komando nga marinsat amerikanë.

SHBA ka shtuar edhe aktivitetet e zbulimit, monitorimit dhe mbledhjes së informacioneve duke ndërtuar baza për avionët pa pilotë në vendet si Nigeri. Kjo është pjesë e një plani për t’i dhënë Afrikës ndihmë në fushën e sigurisë, pa një prani të madhe të personelit amerikan.

Gjenerali i Ushtrisë Amerikane Dejvid Rodriguez kohët e fundit mori kryesimin e Komandës Amerikane në Afrikë me bazë në Gjermani. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai shpjegoi rëndësinë e një pranie të vogël të ushtrisë amerikane në kontinentin e Afrikës.

“Historia e vendeve afrikane, kolonializmi dhe të gjitha çështjet e tjera janë disa nga arsyet se pse nuk duhet të kemi prani të madhe forcash atje, por ne duhet të kemi një prani të vogël që mund të ofrojë zgjidhje novatore dhe që mund të prodhojë rezultate të larta nga një numër i vogël njerëzish të cilët për periudha të shkurtra do të shkojnë atje për stërvitje, operacione dhe për të ndërtuar aftësitë e duhura për këtë qëllim”.

Komanda e Afrikës ose AFRICOM u themelua në vitin 2008 dhe në fillim fokusi i saj ishin projektet zhvillimore përfshirë programet për zhvillimin e blegtorisë dhe takimet me fshatarët.

Por analistët thonë se kjo shkaktoi debate mbi rolin dhe punën e forcave amerikane në Afrikë.

“Kur filloi punën AFRICOM pati shqetësime kryesisht për shkak se ata nuk i shpjeguan mirë objektivat e tyre në Afrikë, prandaj njerëzit kishin shumë dyshime”.

Shtimi i kërcënimeve terroriste nxiti forcat amerikane të intensifikojnë mbledhjen e informacioneve të zbulimit dhe operacioneve të tjera ushtarake.

Por zoti Downie beson se dyshimet janë venitur ndërkohë që është bërë e qartë se Shtetet e Bashkuara po e kufizojnë praninë në kontinent dhe po e përcaktojnë më mirë misionin e tyre.

“Misioni i AFRICOM është duke u qartësuar, dhe megjithëse tani ai po merr një rol operativ më tradicional, unë mendoj se kjo e ka ndihmuar imazhin e AFRICOM-it në Afrikë. Njerëzit tani e kuptojnë më mirë punën e tyre atje”.

Analistët thonë se është bërë e qartë gjithashtu se misioni i ndërtimit të aftësive është një përpjekje afatë-gjatë. Forcat amerikane janë duke punuar me ushtri që janë kryesisht të patrajnuara dhe që në disa raste kanë mungesë profesionalizmi. Ata mendojnë se kjo mund të jetë një përpjekje që mund të zgjasë disa dekada.
XS
SM
MD
LG