Lidhje

Obama mbi rolin e sipërmarrjes në Afrikë


Presidenti Obama ka gjetur një pritje mjaft të ngrohtë në Kenia. Shumë afrikanë e konsiderojnë atë si bir të Kenias, pasi babai i tij ishte nga ky vend. Presidenti njoftoi sot mbi 1 miliardë dollarë investime për biznese të reja në shkallë globale, gjatë fjalës në Samitin e Sipërmarrjes në Nairobi. Presidenti tha sot gjatë Samitit se sipërmarrja në Afrikë ndihmon në sheshimin e pengesave dhe ndërtimin e urave ndërmjet kulturave. Gjithashtu, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Kenias, zoti Obama informoi se ka patur koordinim të gjerë dhe efikas ndërmjet SHBA-së dhe Kenias kundër terrorizmit, në veçanti për grupimin militant somalez al-Shabab. Presidenti Obama e falenderoi Kenian për mikpritjen e qindra mijëra refugjatëve të zhvendosur prej konfliktit në Somali. Presidenti i Kenias kërkoi që të dy vendet të bashkëpunojnë më nga afër për të stabilizuar Somalinë, dhe për të ndihmuar qeverinë somaleze në përpjekjet për të zvogëluar territorin e kontrolluar prej al-Shabab, grupim i cili ka kryer disa sulme vdekjeprurëse në Kenia.

“Sipërmarrja ndihmon qytetarët të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të luftojnë korrupsionin, si dhe ofron një alternativë pozitive përkundër ideologjive të dhunës dhe dasive që shpesh shfrytëzojnë boshllëkun e të rinjve që nuk shohin një të ardhme,” u shpreh zoti Obama.

Përpara se të merrte pjesë në një panel diskutimi në kryeqytetin e Kenias, Nairobi, ai u tha pjesëmarrësve nga mbi 120 vende, se Afrika po lëviz me shpejtësi dhe se Kenia udhëheq.

Zoti Obama tha se gratë po tregojnë aftësinë të mprehta sipërmarrjeje.

"Gratë janë sipërmarrëse energjike. Studimet tregojnë se kur gratë sipërmarrëse kanë sukses, ato ndihmojnë në rritjen ekonomike dhe investojnë më shumë në familjet e tyre dhe komunitetin.”

Presidenti Obama njoftoi se gratë sipërmarrëse do të ndihmohen më tej nëpërmjet hapjes së tre qendra për gratë sipërmarrëse në Kenia, Zambia dhe Mali.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Uhuru Kenyatta foli rreth sfidave të sigurisë dhe ekonominë e Kenias që po rritet me shpejtësi. Ai i kërkoi audiencës të njoftonjë të gjithë miqtë e tyre se Afrika është e gatshme për biznes.

Presidenti Obama takohet sot me zotin Kenyatta për t’u përqëndruar tek lidhjet tregtare, përballjen me ekstremizmin e dhunshëm në Kenia dhe në rajon, rritjen e transparencës së qeverisjes, dhe frenimin e dëmit ndaj kafshëve të egra në Kenia.

Një delegacion ligjvënësish amerikanë dhe zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë janë duke e shoqëruar presidentin në këtë samit. Ambasada amerikane në Nairobi thotë se kjo nënvizon rëndësinë që i kushton SHBA-ja mbështetjes së sipërmarrësve në Afrikë.

XS
SM
MD
LG