Lidhje

Presidenti Obama fillon një vizitë në Afrikë


Presidenti Barak Obama mbërriti sot në Nairobi të Kenias, nën masa të forta sigurie për një vizitë dy ditëshe.

Forcat e rendit patrullojnë qytetin që është nën gjendje thuajse izolimi të plotë për vizitën e parë që zhvillon në këtë vend zoti Obama si president i Shteteve të Bashkuara.

Rrugët e qytetit janë pastruar, ndërtesat janë lyer dhe nuk është kursyer asnjë shpenzim për të pritur zotin Obama në një vizitë që kenianët po e cilësojnë si “rikthimin e tij në atdhe”.

Vizita po zhvillohet vonë në mandantin e presidentit Obama, siç mendohet për faktin se Presidentit Uhuru Kenyatta ballafaqohej me akuza për krime kundër njerëzimit. Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve e pushoi çështjen për shkak të mungesës së provave. Dy presidentët kanë në plan të takohen gjatë qëndrimit të zotit Obama në Kenia.

Të dielën zoti Obama shkon në Etiopi, duke shënuar të parën herë që një president amerikan viziton këtë vend gjatë mandatit presidencial. Gjatë qëndrimit në Etiopi, zoti Obama pritet të takohet me kryeministrin dhe të flasë para Bashkimit Afrikan që e ka selinë në Adis Abeba.

Grupet për të drejtat e njeriut i kanë bërë thirrje presidentit amerikan ta shfrytëzojë turneun për t’u bërë presion këtyre dy vendeve të përmirësojnë praktikat e tyre ndaj të drejtave të njeriut.

Presidenti ndodhet në Afrikë për të marrë pjesë në Takimin Global të Sipërmarrjes. Gjatë qëndrimit në Afrikë ai pritet të nënvizojë shtimin e shkëmbimeve ekonomike mes Shteteve të Bashkuara dhe Afrikës Nënsahariane.

XS
SM
MD
LG