Lidhje

Presidenti Obama viziton Senegalin


Nga Senegali, zoti Obama do të shkojë në Afrikën e Jugut ku do të vizitojë ishullin Robben, burgun e Nelson Mandelës

Presidenti Barak Obama ndodhet në Senegal, ndalesa e parë e një turneu në Afrikë për të nxitur tregtinë, investimet dhe sigurinë ushqimore.

Programi i tij për sot përfshinte takime dhe një darkë zyrtare me Presidentin e Senegalit Macky Sall, si dhe një diskutim me krerët e gjyqësorit senegalez për çështjet e sundimit të ligjit.

Presidenti dhe bashkëshortja e tij, Michelle, do të shkojnë gjithashtu në ishullin Goree, një objekt i Trashëgimisë Botërore që mbrohet nga UNESKO-ja, i cili mes shekujve 15 dhe 19 ishte qendra më e madhe e tregtisë së skllevërve në bregdetin afrikan.

Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar Senegalin një demokraci në zhvillim dhe partner me Shtetet e Bashkuara për ndërtimin e institucioneve në Afrikë.

Nga Senegali, zoti Obama ka në plan të shkojë në Afrikën e Jugut ku do të vizitojë ishullin Robben, burgun në të cilin ish-presidenti Nelson Mandela kaloi gati dy dekada. Pastaj ai do të ndalet në Tanzani para se të kthehet në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Obama nuk do të vizitojë Kenian, vendlindjen e babait të tij. Planet e presidentit i kanë zhgënjyer shumë kenianë. Por presidenti dhe zëvendës presidenti i Kenias që të dy përballen me akuza për krime kundër njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Diplomatët thonë se kjo e bën të pamundur një vizitë të Presidentit Obama në Kenia.
XS
SM
MD
LG