Lidhje

Presidenti Obama në konferencën klimatike


Presidenti Barack Obama viziton shtetin e largët verilindor, Alaskën, ku do të zhvillohet edhe një konferencë ndërkombëtare për ndryshimet klimatike. Në këtë takim, zyrtarë amerikanë dhe të huaj, shkencëtarë dhe banorë vendas do të diskutojnë për efektet e ndryshimeve klimatike në rajonin e Arktikut.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, qëllimi i konferencës është të rrisë vetëdijen për efektet e temperaturave të larta në Arktik, që po ndikojnë në të gjithë botën, dhe për veprimet që mund të ndërmerren.

Në fjalimin e tij të përjavshëm, Presidenti Obama tha se banorët e Alaskës po përjetojnë tashmë efektet e ndryshimit të klimës.

“Zjarre më të shpeshta dhe më të zgjeruara. Stuhi më të mëdha dhe akulli që shkrin më shpejt. Erosioni më i shpejtë në botë i bregdetit. Akullnajat e Alaskës po shkrijnë më shpejt, duke vënë në rrezik turizmin dhe duke rritur nivelin e detit. Nëse nuk bëjmë asgjë, temperaturat në Alaskë priten të rriten 6-12 gradë deri në fund të shekullit, duke ndryshuar kështu përgjithmonë industri të tëra.”

Konferenca organizohet nga Departamenti amerikan i Shtetit, i cili thotë se megjithëse nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë, ajo do të nxisë vullnetin politik për bisedimet e OKB-së që do të mbahen këtë vit me qëllim hartimin e një plani për ndryshimet klimatike.

Agjensia amerikane e hapësirës, NASA, botoi rishtazi një raport ku tregohet se niveli i detit po rritet më me shpejtësi për shkak të ngrohjes globale.

“Presim që të vazhdojë ngrohja e planetit, dhe akullnajat do të shkrijnë më shpejt duke kontribuar më tej në këtë proçes.”

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se nëse temperaturat rriten 2 gradë celcius mbi nivelin para-industrial, atëherë do të krijohet një mot ekstrem dhe nivele të rritura të detit, duke ndikuar kështu popullsinë në mbarë botën.

Sesionet e konferencës do të trajtojnë çështje si: bashkëpunimi shkencor, energjia e rinovueshme, reagimi në raste emergjence, si dhe parandalimi i peshkimit pa rregulla në detin Arktik.

XS
SM
MD
LG