Lidhje

Presidenti Obama flet për ngjarjet në Amerikë dhe për NATO-n


Presidenti Barack Obama u bëri thirrje amerikanëve mos ta shikojnë vendin si të ndarë në dy grupe kundërshtare. Duke folur nga Varshava, Presidenti amerikan u përpoq të qetësojë emocionet e shkaktuara nga vrasja e pesë policëve në Dallas dhe nga vrasjet e dy afrikano-amerikanëve në Minnesota dhe Louisianna:

Sado e dhimbshme që ishte kjo javë, unë besoj thellësisht se Amerika nuk është aq e përçarë sa ç’kanë sugjeruar disa. Amerikanët e të gjitha racave dhe të të gjitha origjinave, janë indinjuar me të drejtë nga sulmet e pajustifikueshme ndaj policisë, në Dallas apo kudoqoftë tjetër, përfshirë protestuesit, përfshirë anëtarë të familjeve që kanë shqetësime të thella për sjelljen e policisë. Ata kanë thënë që kjo është e papranueshme”.

Ai shtoi se: “Dhe amerikanët e të gjitha racave dhe të të gjitha origjinave, janë gjithashtu me të drejtë të trishtuar dhe të zemëruar për vdekjen e Alton Sterling dhe Philando Castile dhe për problemin më të gjerë të trajtimit ndryshe të afrikano-amerikanëve dhe latinove në sistemin tonë penal”.

Gjatë konferencës për shtyp, Presidenti Obama konfirmoi sërish vazhdimësinë e mbështetjes së SHBA-së për Evropën:

Në kohë të mira dhe të këqija, Evropa mund të mbështetet tek Shtetet e Bashkuara. Ne jo vetëm riafirmuam këtu detyrimet tona të vazhdueshme për nenin 5 për sigurinë tonë të përbashkët, por po ecim përpara me konsolidimin më të konsiderueshëm të mbrojtjes sonë që nga koha e Luftës së Ftohtë”.

Takimi i Varshavës është takimi i fundit i nivelit të lartë të NATO-s ku merr pjesë Presidenti Obama gjatë mandatit të tij.

XS
SM
MD
LG