Lidhje

Obama për masa ekonomike dhe kontrollin e armëve


Presidenti Barak Obama shkoi dje në qytetin e tij të Çikagos për të folur për armët dhe vendet e punës, dy nga përparësitë e tij kryesore të mandatit të dytë. Siç na njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klain nga Shtëpia e Bardhë, presidenti po i jep fund një turneu tri ditësh pas fjalimit për gjendjen e vendit që mbajti në Kongres.

Më shumë amerikanë u vranë në Çikago vitin e kaluar se sa në Afganistan. Këto shifra janë 506 me 301.

Zoti Obama vizitoi një shkollë në qytetin me probleme South Side dhe bëri thirrje për disa nisma për të ulur nivelin e dhunës me armë, duke përfshirë edhe ligje më të rrepta për armëmbajtjen. Ashtu si edhe në fjalimin për gjendjen e vendit, ai nderoi kujtimin e 15 vjeçares, Hadia Pendleton, nga Çikago, e cila u vra disa ditë pasi marshoi në paradën për inaugurimin e tij.

“Fakti është, për fat të keq, se çfarë i ndodhi Hadijes nuk është i veçantë. Nuk është karakteristë e veçantë për Çikagon. Nuk është i veçantë për vendin. Shumë nga fëmijët tonë po ndahen prej nesh”.

Disa orë më parë, në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama u dha medaljen e dytë më të lartë për shërbime civile, Medaljen Presidenciale të Qytetarëve, 6 të riturve dhe 20 fëmijëve që u vranë gjatë një masakre në një shkollë fillore në Kënektikat në muajin dhjetor.

Ulja e nivelit të dhunës me armë është një nga “shkallët e mundësive”, siç u shpreh presidenti, që do të ndihmonte më shumë amerikanë të ngjiten në klasën e mesme.

Zoti Obama bëri gjithashtu thirrje për zgjerimin e arsimit parashkollor për fëmijët, duke përmirësuar programet e kualifikimit dhe ngritjen e pagës së detyruar minimale.

Në shumë komunitete, ku fëmijët rriten vetëm nga nëna, presidenti u shpreh për programe për të inkurajuar martesat dhe përgjegjësinë e baballarëve.

“Ne kemi nëna të vetme. Ato janë heroike për atë që bëjnë. Ne jemi shumë krenarë për to. Por në të njejtën kohë, do të dëshiroja të kisha patur një baba rreth meje që të kishte qënë i angazhuar me rritjen time”.

Prindërit e Presidentit Obama u ndanë pak pasi ai u lind dhe i ati u kthye në Kenia.

Vizita në Çikago ishte ndalesa e tretë dhe e fundit e turneut të presidentit për të promovuar axhendën e mandatit të tij të dytë që e parashtroi në fjalimin drejtuar vendit të martën. Republikanët në Kongres kanë shprehur kundërshtimin e tyre për shumë nga propozimet e tij.

Nga Çikagoja, Presidenti Obama shkoi në West Palm Beach të Floridës, ku do të kalojë një pjesë të fundjavës së festës së Presidentëve duke luajtur golf me miqtë e tij.
XS
SM
MD
LG