Lidhje

Obama: amerikanët t'i bëjnë trysni Kongresit për armët


Presidenti amerikan Barak Obama u kërkoi amerikanëve t’i bëjnë presion Kongresit për të forcuar ligjet mbi armët pas një varg incidentesh të rënda me armë zjarri në të gjithë vendin.

Gjatë një takimi në formë diskutimi që pati mbrëmë në Fairfax të shtetit Virginia pranë Uashingtonit, presidenti dëgjoi argumente nga njerëz në të dy anët e debatit.

Takimi në formë diskutimi, i transmetuar nga rrjeti CNN, u përqendrua në çështjen e debatueshme se sa larg duhet të shkojë qeveria në masat për të kufizuar armët e zjarrit në mes të popullatës.

Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë më shumë, pa e shkelur të drejtën kushtetuese të amerikanëve për të mbajtur armë.

"Unë respektoj Amendamentin e Dytë. Por të gjithë ne mund të pajtohemi se është e logjikshme të bëjmë gjithçka mundemi për t’i mbajtur larg armët nga duart e njerëzve që duan t’u bëjnë keq të tjerëve," tha Presidenti Obama.

Këtë javë, Presidenti shpalli disa akte ekzekutive, si zgjerimi i kontrolleve për personat që blejnë e shesin armë.

Ai përsëri kritikoi Kongresin e udhëhequr nga republikanët se refuzon të forcojë ligjet mbi armët dhe akuzoi ligjvënësit se i përulen lobimit të fuqishëm nga ana e Shoqatës Kombëtare të Armëve.

Shoqata e refuzoi ftesën për të marrë pjesë në takimin e djeshëm.

Megjithatë, presidenti dëgjoi argumentet e skeptikëve, si kjo viktimë e përdhunimit dhe nënë e dy fëmijëve:

GRUAJA: "Kufizimet që ju keni vënë për ta bërë më të vështirë që unë të kem armë, në fakt ma bëjnë më pak të sigurt jetën mua dhe fëmijëve të mi.”

PRESIDENTI OBAMA: "Ne nuk propozojmë asgjë që jua bën më të vështirë blerjen e një arme, nëse keni nevojë për të.”

Grupet e lobimit për armët kanë kërcënuar se do t’i drejtohen gjykatës:

"Nëse presidenti përpiqet të shtojë kërkesat për koleksionistët e armëve kur ata marrin leje për të shitur armë zjarri herë pas here nëpër panaire, kjo sigurisht do të ishte problem," thotë John Malcolm i Fondacionit Heritage.

Të tjerë thonë se vetëm Kongresi mund të zgjidhë të metat që kanë ligjet për kontrollin e armëve.

"Për t’i zgjidhur realisht këto çështje duhen ligje, duhet që Kongresi të ketë dëshirën për t’u përballur me lobin e armëve dhe të shprehë atë që populli amerikan po e shpreh prej 3 vjetësh, pra se durimi ka arritur kulmin dhe se këto boshllëqe të legjislacionit duhen mbyllur,” thotë Chelsea Parsons e Qendrës Amerikane për Progres.

Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti ka në plan ta mbajë gjallë debatin dhe t’i nxisë votuesit të kundërshtojnë lobin pro-armëve në Uashington.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG