Lidhje

Obama pret udhëheqësit e ASEAN në Kaliforni


Presidenti amerikan Barak Obama do të presë 10 udhëheqësit e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore në një takim historik në Kaliforni. Takimi synon të parashtrojë vizionin strategjik të Amerikës për këtë rajon për dekada me radhë në të ardhmen.

Presidenti amerikan dhe udhëheqësit e Azisë Juglindore do të zhvillojnë një takim dy ditësh në një pikë piktoreske pushimi në Rancho Mirage të Kalifornisë, ku përveç axhendës zyrtare, do të diskutohen edhe çështje të tjera me rëndësi kritike për rajonin.

Shtëpia e Bardhë e konsideron udhëheqjen amerikan në këtë rajon si një element kritik për begatinë dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara në të ardhmen.

Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore ASEAN përfshin Indonezinë, Malajzinë, Brunein, Filipinet, Singaporin, Tajlandën, Vjetnamin, Laosin, Mianmarin dhe Kamboxhian. Ky rajon dinamik dhe i larmishëm po përjeton një rritje të fuqishme, por edhe shtim të tensioneve, që kanë potencialin të kërcënojnë ekonominë dhe sigurinë globale.

Zyrtarët e administratës thonë se me organizimin e takimit të udhëheqësve të ASEAN-it, zoti Obama shpreson të zhvillojë një plan pune për vitin e fundit të mandatit të tij dhe të shtyjë përpara planet për gjetjen e një baraspeshe në rajon, duke i dërguar një mesazh të qartë administratave që do të vijnë pas për qëndrimin dhe angazhimin që kërkohet nga Shtetet e Bashkuara në këtë pjesë të globit.

XS
SM
MD
LG