Lidhje

Presidenti Obama i jep Medaljen e Nderit një ushtari të rënë në Afganistan


Presidenti Obama i jep Medaljen e Nderit një ushtari të rënë në Afganistan
Presidenti Obama i jep Medaljen e Nderit një ushtari të rënë në Afganistan

Një ushtari amerikan, i cili humbi jetën në Afganistan ndërsa po mbronte njerëzit që kishte përreth, iu dha dekorata më e lartë ushtarake e Shteteve të Bashkuara. Siç njofton nga Shtëpia e Bardhë, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klajn, Presidenti Barak Obama i dorëzoi Medaljen e Nderit familjes së ushtarakut, për të cilin tha se mishëronte kuptimin e vërtetë të trimërisë.

Presidenti Obama thotë se rreshteri Robert Xhej Millër, pjesëtar i forcave speciale elite të ushtrisë amerikane, dëshmoi guxim të pamasë më 25 janar 2008, ditën kur vdiq.

Rreshteri Millër bashkë me mbi 20 amerikanë dhe afganë po patrullonin një luginë në Afganistanin veriperëndimor, duke u përpjekur të largonin që andej kryengritësit që kishin sulmuar ushtarët dhe fshatarët afganë.

Kur Millër dhe grupi i tij arritën në një repart të kryengritësve, ata hapën zjarr dhe kërkuan fillimin e sulmeve ajrore. Më vonë, ata bënë vlerësimin e dëmeve.

Mirëpo shumë shpejt, u gjendën në kurth dhe u rrethuan prej gati 150 kryengritësish.

Zoti Obama thotë se rreshteri Millër i bëri thirrje skuadrës së tij të tërhiqej, ndërsa veten e vuri qëllimisht në rrezik.

“Dhe më pas bëri diçka të jashtëzakonshme. Roberti lëvizi në drejtimin e kundërt, drejt armikut, duke i larguar plumbat e armikut nga skuadra dhe duke bërë që kryengritësit të shtinin kundër tij”.

Presidenti thotë se ushtarët e tjerë të skuadrës u tërhoqën në një pikë të sigurt, ndërsa rreshteri Millër kontaktonte me ta përmes radios.

“Ai ishte qëlluar, por vazhdonte të sulmonte pozicionet e armikut, vazhdonte të luftonte. Vazhdonte akoma të hidhte granata. Por më pas, ata vunë re se arma e Robertit pushoi së shtëni”.

Dy pjesëtarë të skuadrës nuk iu trembën plumbave të armikut për t’u kthyer në vendin ku ndodhej rreshteri Millër dhe ishin pranë tij kur ai vdiq. Kur arritën përforcimet, skuadra luftoi me orë të tëra për të tërhequr trupin e tij. Pesë ushtarë u plagosën, por të gjithë mbijetuan.

Sipas motivacionit të Medaljes së Nderit, guximi i jashtëzakonshëm i zotit Millër shpëtoi jetët e shtatë anëtarëve të skuadrës së tij dhe të 15 ushtarëve afganë.

Prindërit e Millërit thanë se ai kishte dashur të bëhej ushtar gjithë jetën e tij. Presidenti Obama tha se trimëria e tij do të frymëzojë brezat e rinj.

“Ne mund të përfytyrojmë një ditë, dhjetëra vjet më vonë, kur një fëmijë tjetër të ulet në bankë, të mendojë për domethënien e vërtetë të trimërisë dhe të gjejë frymëzim në tregimin e një ushtari, rreshterit Robert Xhej Millër, dhe të një brezi që luftoi ditë e natë, luftoi për atë që mendoi se ishte e drejtë”.

Prindërit e rreshterit Millër, Fill dhe Morinë Millër, pranuan medaljen në emër të të birit. Pas ceremonisë, ata thanë se djali i tyre besonte se po punonte për një çështje të drejtë.

XS
SM
MD
LG