Lidhje

Presidenti Obama fton udhëheqësit e Kongresit për bisedime


Disa republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve duken të gatshëm për të thyer ngërçin lidhur me ligjin e Presidentit mbi kujdesin shëndetësor

Presidenti Barak Obama ka ftuar sonte udhëheqësit e Kongresit në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar mbi dhënien fund të mbylljes së qeverisë, ndërkohë që disa republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve duken të gatshëm për të thyer ngërçin lidhur me ligjin e Presidentit mbi kujdesin shëndetësor.

Disa republikanë të Dhomës thonë se do t'u bashkohen demokratëve për të mbështetur një projekt-ligj mbi shpenzimet e Senatit, i cili do t'i jepte fund pa kushte mbylljes së qeverisë amerikane.

Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë thënë se do ta financojnë qeverinë me kusht që të shtyhet vënia në zbatim e ligjit për kujdesin shëndetësor ose që të mos jepen fonde për këtë program.

Por Senati i kontrolluar nga demokratët i ka hedhur poshtë propozimet e Dhomës gjë që çoi në mbylljen e qeverisë dje, menjëherë pas skadimit të afatit për financimin e operacioneve të saj.

Gati një milion punonjës federale janë me leje të papaguar për një periudhë të pacaktuar kohe.

Mbyllja e pjesëshme e qeverisë amerikane e detyroi Presidentin Obama t’i anulojë dy ndalesa nga turneu i tij i ardhshëm në Azi. Në ditën e dytë të mbylljes së qeverisë, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Obama do të shkojë vetëm në Indonezi dhe Brunei dhe po e anulon vizitën e tij të planifikuar për në Malajzi dhe Filipine.

XS
SM
MD
LG