Lidhje

Obama fillon turin aziatik


Presidenti Barack Obama po viziton Tailandën, ndalesa e tij parë gjatë një turneu aziatik, gjatë të cilit do të vizitojë edhe Birmaninë dhe Kamboxhian. Ky është udhëtimi i parë jashtë vendi për presidentin pas zgjedhjeve të 6 nëntorit. Ai u prit në Bankok nga zyrtarë të lartë tajlandezë dhe ishte i ftuar në një darkë zyrtare të shtruar nga kyreministri Yingluck Shinawatra, për nder të delegacionit të Shteteve të Bashkuara.

Ky udhëtim thekson interesimin e zotit Obama për Azinë, ndërsa ai përpiqet të përmbushë zotimin e tij për të përforcuar ekonominë amerikane gjatë mandatit të tij të dytë. Administrata Obama ka thënë se politika e jashtme dhe angazhimi amerikan në të ardhmen do të përqëndrohet tek Azia.

Kur të mbërrijë nesër në Birmani, zoti Obama do të bëhet presidenti i parë amerikan, i cili viziton këtë vend që ka dalë nga dekada të tëra të kontrollit të ashpër ushtarak. Kohët e fundit, qeveria birmaneze ka bërë lëshime përballë presionit të komunitetit ndërkombëtar dhe ka filluar zbatimin e reformave demokratike, por disa grupe të të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar se Birmania nuk është ende një vend plotësisht i lirë.

Presidenti Obama do të takohet me Presidentin Thein Sein si dhe me Aung San Suu Kyi-në, aktivisten më të njohur për demokraci të vendit, e cila u lirua nga arresti shtëpiak në vitin 2010, pas gati 20 vjetësh. Suu Kyi fitoi çmimin Nobel të paqes në vitin 1991, por nuk u lejua deri këtë vit që të shkonte në Norvegji për ta marrë çmimin. Shumë birmanezë shpresojnë që investimet amerikane do të ndihmojnë në fuqizimin ekonomik të vendit. Presidenti Obama do të marrë pjesë edhe në takimin e ASEAN-it në Kamboxhia, një tjetër vend ku ai pritet të shprehë shqetësim lidhur me problemet e të drejtave të njeriut.
XS
SM
MD
LG