Lidhje

Obama, Bejnër takohen për çështjen fiskale


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Xhon Bejnër diskutuan përsëri katastrofën fiskale. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain, na informon se kjo ishte vizita e dytë e zotit Bejnër në Shtëpinë e Bardhë këtë javë.

Presidenti Obama dhe Kryetari Bejnër u takuan për 50 minuta, kur kanë mbetur vetëm tri javë nga e ashtuquajtura “katastrofë fiskale”.

Pas takimit, si Shtëpia e Bardhë ashtu edhe zoti Bejnër e përshkruan atë si të sinqertë. Një zyrtar i administratës tha se linjat e komunikimit mes të dy palëve mbeten të hapura.

Një ngritje prej 600 miliardë dollarësh në taksa dhe shkurtime shpenzimesh do të hyjë në fuqi më një janar, nëse nuk miratohet një ligj që do të nënshkruahej nga presidenti për ta shmangur atë.

As administrata demokrate Obama as repulikanët e lartë në Kongres nuk kanë dhënë shenja përparimi në besedimet e ditëve të fundit.

Shtëpia e Bardhë këmbëngul në ngritjet e taksave për amerikanët e pasur për të ndihmuar në uljen e borxhit të vendit. Sekretari i shtypit, Xhej Karni tha se administrata shpreson që republikanët do të bëjnë lëshime për këtë çështje.

“Ne ende besojmë se marrëveshja është e mundur. Ne besojmë se parametrat janë realë dhe nëse republikanët bien dakord me idenë bazë se përqindja e taksave duhet të ngrihet për të pasurit, ndërkohë që të vazhdojë niveli i shkurtuar për gjithë të tjerët, ne mund të arrijmë një marrëveshje mjaft shpejt”.

Para takimit, zoti Obama tha në një kanal televiziv në Minesota se shpreson që republikanët të ndryshojnë qendim për çështjen e taksave.

Dje më herët, Kryetari Bejnër tha se presidenti ishte duke i vonuar bisedimet dhe se nuk ishte i preokupuar për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare.

“Dhe ja ku jemi, në momentin e fundit dhe presidenti ende nuk e ka marrë seriozisht këtë çështje. Çështja qendron tek shpenzimet”.

Bejnër ka në plan të largohet nga Uashingtoni për të shkuar disa dinë në shtëpinë e tij në Ohajo.

XS
SM
MD
LG