Lidhje

Obama vazhdon fushatën për planin e tij për vende të reja pune

  • Kent Klain

Obama vazhdon fushatën për planin e tij për vende të reja pune

Obama vazhdon fushatën për planin e tij për vende të reja pune

Presidenti Barak Obama po vazhdon fushatën e tij për të siguruar mbështetje për planin e tij të nxitjes ekonomike dhe uljen e shkallës së papunësisë. Siç na njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga nga Shtëpia e Bardhë, presidenti bëri një vizitë tjetër në shtetin me peshë politike, Ohajo, për të bërë thirrje për projekte të reja ndërtimi.

Presidenti Obama foli në Sinsinati në këmbë të një ure të vjetër mbi Lumin Ohajo, ku kalon një autostradë e madhe. Ai i bëri thirrje Kongrsit të miratojë planin e tij me qëllim që të merren në punë punëtorë për rindërtimin e infrastrukturës amerikane.

"Si mundet ne të qendrojmë pasivë dhe të lejojmë Kinën të ndërtojë hekurudhat më të mira? Të lejojmë Evropën të ndërtojë autostradat më të mira? Të lejojmë Singaporin të ndërtojë një aeroport më të bukur? Në një kohë kur ne kemi miliona punëtorë ndërtimi pa punë, gati për të punuar, gati për t’iu përgjegjur kërkesave të punës?”

Ura u zgjodh si vendi i fjalimit pasi ajo lidh shtetet nga vinë rivalët më të fortë politikë republikanë të presidentit, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Xhon Bojner nga Ohajo dhe udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Senatori Miç Mekonëll nga Këntaki.

"Pjesërisht arsyeja që erdha këtu është se zoti Bojner dhe zoti Mekonëll janë dy republikanët më të fuqishëm në qeveri. Ata mund ta bllokojnë këtë projektligj ose mund të ndihmojnë në miratimin e tij”.

Bojner dhe Mekonëll kanë udhëhequr opozitës në pothuajse çdo nismë të rëndësishme që ka propozuar presidenti. Zoti Obama u bëri thirrje atyre të mbështesin projektligjin prej $447 miliardë dollarësh për hapjen e vendeve të punës.

"Nuk ka arsye që republikanët në Kongres të pengojnë projekte të tjera ndërtimi. Nuk ka arsye të pengojnë hapjen e më shumë vende pune. Zoti Bojner, zoti Mekonëll na ndihmoni ta rindërtojmë këtë urë”.

Zyrtarët e transportit në të dy shtetet kanë propozuar zëvendësimin e urës së Sinsinatit, por ndërtimi fillon në vitin 2015. Senatori Mekonëll tha se presidenti e përdori urën thjesht si teatër politik.

"Unë do të sugjeroja zoti President që ju të mendoni për mënyrat si ta ndihmoni faktikisht popullin e Këntakit dhe Ohajos, në vend që të përdorni rrugët dhe urat e tyre si shkas për të bërë deklarata politike”.

Senatori Mekonëll tha se paketa stimuluse e vitit 2009 ishte shpërdorin i rreth 800 miliardë dollarëve dhe se plani për vendet e reja të punës i zotit Obama do të jetë pak a shumë e njëjta gjë. Udhëheqësit repulikanë kanë lënë të kuptohet se do të ishin të gatshëm të miratonin disa nga pikat e nismës së presidentit, por jo të gjitha.

Presidenti Obama ka thënë se do të vazhdojë punën që e gjithë paketa e tij të miratohet, por do të nënshkruajë edhe vetëm pjesët e saj që do të miratonte Kongresi.

XS
SM
MD
LG