Lidhje

Pres. Obama anulon takimin me homologun rus Putin


Anulimi bëhet në përgjigje të qëndrimit të Rusisë për t’i dhënë strehim të përkohshëm politik ish punonjësit të zbulimit, Edward Snowden

Shtëpia e Bardhë thotë se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë nuk mund të shihen vetëm në kontrastin bardh e zi. Zëdhënësi Jay Carney bëri dje komente për shtyp lidhur me vendimin e Presidentit Obama për të anuluar takimin e muajit të ardhshëm në Moskë me Presidentin rus Vladimir Putin. Zëdhënësi Carney tha se ndërkohë që Shtetet e Bashkuara shënojnë përparim në marrëdhëniet me Rusinë në disa fusha, do të ketë gjithmonë mosmarrëveshje në fusha të tjera. Këtu përfshihen Siria, mbrojtja nga raketat dhe çështja e kontraktorit Snowden.

Presidenti Barack Obama anuloi takimin me Presidentin rus Vladimir Putin të planifikuar për muajin e ardhshëm, para takimit të Grupit të 20-shes në Rusi.

Për një president, që përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë e kishte ndër përparësitë e politikës së tij të jashtme, një shuplakë e tillë diplomatike ndaj presidentit Putin, shënon një pikë-kthese në marrëdhëniet e tij me udhëheqësin rus dhe në marrëdhëniet mes të dy vendeve.

Shtëpia e Bardhë theksonte përmes një deklarate se pas një “analize të kujdesshme” u arrit në përfundimin se “nuk kishte përparim të mjaftueshëm” në marrëdhëniet dy palëshe që të justifikonte mbajtjen e takimit në fillim të shtatorit.

Deklarata vinte në dukje fushat ku Uashingtoni dhe Moska kanë bashkëpunuar, përfshirë traktatin për pakësimin e armëve bërthamore, Afganistanin, Iranin dhe Korenë e Veriut.

Por ajo theksonte se për shkak të mungesës së përparimit për çështje të tilla, si mbrojtja nga raketat, kontrolli i armëve, marrëdhëniet ekonomike dhe tregëtare, çështjet e sigurisë globale dhe të drejtat e njeriut, “do të ishte më konstruktive për ta shtyrë takimin mes dy udhëheqësve”.

Mosmarrëveshja më e madhe mes të dy vendeve ishte dhënie e strehimit të përkohshsëm nga Rusia për Edward Snowden-in, ish kontraktuesin e agjencive amerikane të zbulimit, që bëri publik një program të fshehtë përgjimi të qeverisë amerikane.

Presidenti Putin, e kundërshtoi kërkesën amerikane për ta dëbuar Snowden-in nga Rusia në mënyrë që ai të përballej me akuzat për spiunazh në Shtetet e Bashkuara.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhej se kjo çështje ishte “një prej faktorëve” që u shqyrtuan gjatë analizës së marrëdhënieve të tanishme mes dy vendeve.

Gjatë një paraqitje në emisionin e rrjetit NBC, “The Tonight Show with Jay Leno” ditën e martë në mbrëmje, presidenti tha se ai ndihej “i zhgënjyer” që Rusia i dha strehim Snowden-it, duke shtuar se ky veprim “pasqyronte disa sfida” në marrëdhëniet me Moskën.

Ai përmendi bashkëpunimin me Rusinë kundër terrorizmit, siç ishte rasti i shpërthimeve në Boston, apo linjat e furnizimit për forcat amerikane në Afganistan, por theksoi se ka patur raste kur Rusia “ka mbajtur qëndrime të kohës dhe me mentalitetin e Luftës së Ftohtë”.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën se presidenti Obama, do të shkojë në Suedi para takimit të G-20 që do të zhvillohet në Shën Petërburg, në të cilin presidenti ende ka në plan të marrë pjesë.

Ndërsa po bëhen vlerësimet për dëmin që do të shkaktohet nga shtyrja e takimit të dy udhëheqësve, takimet e planifikuara më parë mes Sekretarit të Shtetit John Kerry dhe Sekretarit të Mbrojtjes Chuk Hagel me homologët e tyre rusë në Uashington, do të zhvillohen sipas parashikimit.

Shtëpia e Bardhë thotë se synimi i takimeve është të vlerësojë se si të dy vendet “mund të arrijnë përparim për një gamë të gjerë çështjesh” në marrëdhëniet e tyre dy-palëshe.

Siria vazhdon të jetë një prej mosmarrëveshjeve më të mëdha mes të dy vendeve. Rusia vazhdon të mbështesë presidentin Bashar al-Assad në luftën e tij kundër kryengritësve. Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar mbështetje dhe furnizime me armë të lehta kryengritësve.

Pak përparim është arritur për propozimin e mbajtjes së një konference ndërkombëtare me pjesëmarrjen edhe të qeverisë së zotit Assad edhe të koalicionit të forcave kryengritëse në Siri. Numri i vdekjeve në Siri si pasojë e luftimeve, mendohet se i ka kaluar 100 mijë.
.
XS
SM
MD
LG