Lidhje

Presidenti Obama dhe ndryshimet klimatike

  • Michael Bowman

Presidenti amerikan Barak Obama njoftoi zyrtarisht një plan ambicioz për të luftuar ndryshimet klimatike përmes pakësimit të çlirimit të karbonit nga termocentralet amerikane. Nisma përballet me kundërshtime të ashpëra nga shtetet që prodhojnë qymyr dhe përfaqësuesit e tyre në Kongres.

"Ndryshimi i klimës nuk është më një problem vetëm i brezave të tjerë".

Presidenti Obama bëri thirrje për veprim në një video të postuar në Facebook.

"Termocentralet janë burimi më i madh i ndotjes nga çlirimi i karbonit të dëmshëm që kontribuon në ndryshimin e klimës. Por deri tani, nuk ka pasur kufizime mbi sasinë e ndotjes që këto termocentrale mund të çlirojnë".

Qëllimi i planit është që deri në vitin 2030 të pakësohet çlirimi i karbonit me mbi 30 përqind nga nivelet e vitit 2005. Ky plan përcakton objektivat, por i lejon shtetet të vendosin vetë se si do t’i realizojnë ato.

"Është e qartë se votuesit janë më të shqetësuar për vendet e punës dhe ekonominë", tha Mitch McConnell, senator republikan.

Udhëheqësi republikan i Senatit përfaqëson Kentakin, një shtet i pasur me qymyr dhe mendon se plani i presidentit do të eliminonte shumë vende pune.

"Duhet të bëjmë gjithçka për të frenuar këtë sulm me rregulla të shumta, të cilat kanë penguar rimëkëmbjen që prisnim pas recesionit ekonomik".

Në një marrëveshje të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara morën një angazhim për pakësimin e çlirimit të karbonit, ndërsa Kina u zotua të ndalë rritjen e prodhimit të gazrave serrë në të ardhmen.

"Jam veçanërisht i shqetësuar nga marrëveshja, e cila nuk kërkon asgjë nga kinezët për 16 vjet, ndërsa rregullat për kufizimin e çlirimit të karbonit po bëjnë kërdi në shtetin tim dhe shtetet e tjera në vendin tonë", thotë senatori McConnell.

Por edhe vendet e tjera, si Meksika, po punojnë për pakësimin e çlirimit të gazeve serrë.

"Vendi duhet respektojë angazhimet e tij ndërkombëtare, por duhet të krijojë edhe vende të reja pune, të bëjë reforma në sektorin e energjisë, dhe të sigurojë kushte më të mira jetese", thotë José Antonio Meade, Ministër i Jashtëm i Meksikës.

Zyrtarët e OKB-së e përshëndetën këtë vendim.

"Me kalimin e kohës, ne duhet të shohim një prirje më të qartë të investimeve në energji të pastër dhe të rinovueshme", thotë Christina Figueres, Sekretare e OKB-së për Ndryshimet Klimatike.

Më parë këtë vit, Presidenti Obama i vuri veton ndërtimit të një tubacioni nafte nga Kanadaja, duke nxitur reagime pozitive nga ambjentalistët dhe kritika nga shumë ligjvënës. Plani i tij për energji të pastër mund të ketë më shumë pasoja, ai pritet të shkaktojë një stuhi politike dhe kundërshtime më të ashpëra.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG