Lidhje

Obama: SHBA nuk do të tërhiqen kurrë nga angazhimi në botë

  • Dan Robinson

Presidenti Obama, nën-Presidenti Joe Biden, Sekretarja e Shtetit dhe Sekretari i Mbrojtjes pritën trupat e ambasadorit amerikan Stevens dhe 3 amerikanëve të tjerë, që u vranë në Libi

Presidenti Barack Obama dhe Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton ishin të pranishëm dje në ceremoninë me rastin e kthimit të trupave të 4 amerikanëve të vrarë nga sulmet kundër konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë këtë javë. Dan Robinson i Zërit të Amerikës njofton se vazhdojnë të ngrihen pikpyetje rreth sigurisë në Libi dhe në misione të tjera diplomatike gjetkë në botë, ndërsa vazhdojnë protestat e nxitura nga një video e prodhuar në Shtetet e Bashkuara që vë në lojë profetin Muhammad.

Presidenti Obama, nën-Presidenti Joe Biden, Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dhe Sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta shkuan në bazën ajrore Andrews në Maryland jo shumë larg Uashingtonit për të pritur trupat e ambasadorit amerikan, Christopher Stevens, dhe 3 amerikanëve të tjerë, që u vranë në Libi.

Presidenti Obama dhe Sekretarja Clinton qëndruan me kokën ulur ndërsa forca të marinës amerikane transportuan arkivolët e mbështjellë me flamurin amerikan nga një aeroplan ushtarak për në një hangar aeroplanësh, ku ishin mbledhur pjesëtarët e familjeve të të vrarëve dhe zyrtarë civilë e ushtarakë.

Sekretarja Clinton foli e para, duke iu drejtuar familjeve dhe të pranishmëve të tjerë, mes tyre edhe ambasadori i Libisë në Shtetet e Bashkuara, duke nderuar 4 të vrarët, mes tyre edhe Ambasadorin Stevens.

"Chris bënte miq për Shtetet e Bashkuara edhe në vendet më të largëta, shpresat e këtyre njerzve u bënë shpresat e vetë Chris-it. Gjatë revolucionit në Libi ai rrezikoi jetën për të ndihmuar në mbrojtjen e popullit libian nga një tiran, madje ai dha jetën e tij duke i ndihmuar ata të ndërtonin një jetë më të mirë".

Sekretarja Clinton tha se ditët përpara nesh do të jenë të vështira, por ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë "punën e gjatë e të vështirë të diplomacisë". "Popujt e Libisë, Egjiptit, Jemenit dhe Tunizisë, theksoi Sekretarja Clinton, nuk shkëmbyen tiraninë e një diktatori me tiraninë e një turme".

Më pas foli Presidenti Obama, duke përshkruar secilin prej 4 amerikanëve të vrarë si patriot, që dhanë jetën për të mbrojtur amerikanët e tjerë dhe duke punuar për popujt e vendeve ku ata shërbenin.

"Katër amerikanë, katër patriotë, ata e donin vendin e tyre dhe zgjodhën t’i shërbenin atij dhe i shërbyen më së miri. Ata kishin një mission dhe besonin në të. Ata i njihnin rreziqet dhe i pranuan ato. Ata nuk e përqafuan thjeshtë idealin amerikan, ata e jetuan dhe e mishëruan atë".

Zoti Obama tha se humbja e jetëve dhe imazhet e ditëve të fundit mund të kenë bërë që disa njerëz të vënë në pikpyetje punën e diplomatëve nëpër botë, por ai shtoi se as që nuk duhet të diskutohet rreth angazhimit amerikan.

"Edhe ndërsa zërat e dyshimit dhe të mosbesimit përpiqen të ndajnë vendet dhe kulturat tona, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të tërhiqen kurrë nga angazhimi në botë, ne nuk do të ndalojmë kurrë punën për dinjitetin dhe lirinë e çdo personi që i meriton këto të drejta, pavarësisht kredos apo besimit të tyre fetar".

Protestat vazhduan dje në botën myslimane, si në Egjipt, Tunizi, Sudan dhe në disa kryeqytete të vendeve aziatike.

Presidenti Obama dha urdhër për një rishqyrtim të situateës së sigurisë në misionet diplomatike. Ai njoftoi zyrtarisht Kongresin rreth dislokimit në Libi dhe në Jemen të forcave të sigurisë të armatosur rëndë derisa të stabilizohet gjendja e sigurisë në ato dy vende.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG