Lidhje

Presidenti Obama në mbështetje të kandidates Clinton


Gjatë një fjalimi në një tubim fushate për demokraten Hillary Clinton, presidenti amerikan Barack Obama e quajti rivalin i saj republikan Donald Trump "mashtrues" dhe të paaftë nga pikëpamja e temperamentit për të qenë president. Presidenti Obama gjithashtu kritikoi shefin e FBI-së James Comey për ringjalljen e çështjes së e-maileve të zonjës Clinton, gjë që mund të interpretohet si përpjekje për të ndikuar tek zgjedhjet. Zoti Trump, nga ana e tij, u zotua për shfuqizimin e ligjit të kujdesit shëndetësor të Presidentit Obama menjëherë pasi të bëhej president.

Duke folur në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill, presidenti Obama e pranoi se amerikanët janë të zhgjënjyer me shëmtinë e fushatës presidenciale.

"Por unë dua që ju për një moment të shmangni zhurmën dhe të përqëndroheni në alternativën tuaj në këto zgjedhje."

Presidenti Obama u tha votuesve se në qoftë se ata mendojnë në mënyrë të qartë, zgjedhja e tyre mund të jetë vetëm zonja Clinton. Ai e portretizoi zotin Trump si një biznesmen të dyshimtë, të cilit i mungon dhembshuria për amerikanët në nevojë, dhe si të pa kualifikuar për të udhëhequr një vend demokratik.

"Ne nuk mund të kemi një president i cili sugjeron se Amerika duhet të torturojë njerëz, apo të ndalojë fetë. Ne meritojmë më shumë se sa një komandant të përgjithshëm i cili fyen të burgosurit e luftës, sulmon nënën e një të ushtari të rënë, apo nënçmon trupat tona."

Presidenti gjithashtu kritikoi Partinë Republikane, e cila aktualisht kontrollon të dyja dhomat e Kongresit.

"Ata nuk punuan me mua kur mora detyrën, madje edhe kur ne bënim përpjekje për të ruajtur vendet e punës dhe për të parandaluar depresionin ekonomik. Edhe kur ata kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit, ata kanë vështirësi të miratojnë ligje të axhendës së tyre, dhe kështu ata vazhdimisht bllokojnë dhe pengojnë proceset, kërcënojnë me mbyllje të qeverisë dhe e shkatërrojnë ekonominë në qoftë se nuk marrin atë që duan. Demokracia nuk funksionon kështu. Prindërit nuk na kanë mësuar këtë."

Në një intervistë me kanalin televiziv "Now This", Presidenti Obama kritikoi drejtorin e FBI-së për njoftimin e Kongresit për shqyrtimin e mijëra e-maileve të gjetura kohët e fundit në një kompjuter privat të një ndihmësi të zonjës Clinton.

"Unë mendoj se ekziston një praktikë që kur ka hetime, ne nuk nuk veprojmë në bazë të aludimeve, informacionit të paplotë, ose të rrjedhur."

Zoti Trump nga ana e tij, sulmoi presidentin Obama dhe premtoi shfuqizimin e ligjit mbi kujdesin shëndetësor, nëse zgjidhet.

"Gjëja e fundit që na duhet është një mandat tjetër katër vjeçar i Obamës. Kjo do të ishte shumë e keqe për vendin. Kjo do të thotë ISIS, taksa të larta, kujdes të keq shëndetësor, mungesë të kufijve. Pa kufij nuk mund të kemi vend."

Zoti Trump dje bëri fushatë në Florida, shteti jugor që ai e pranon se duhet ta fitojë për të patur shanse për t'u bërë president.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG