Lidhje

Obama në rolin e humoristit


Presidenti Barack Obama ishte mbrëmë në qendër të vëmendjes së gazetarëve, politikanëve dhe personaliteteve të ftuara në darkën e përvitshme të Shtëpisë së Bardhë për korrespondentët. Kjo darkë ishte mundësia e fundit për Presidentin Obama që të shpotiste veten, miqtë, kundërshtarët, mediat dhe Kongresin.

Nën tingujt e këngës “Do ju mungoj kur të jem larguar”, Presidenti Obama konfirmoi se kjo është vërtet darka e tij e fundit me korrespondentët dhe tregoi për herë të parë me humor se kush preferon të jetë pas tij në Shtëpinë e Bardhë.

“Vitin e ardhshëm, dikush tjetër do të qëndrojë pikërisht në këtë podium, dhe të gjithë mundohen të hamendësojnë se kush do të jetë AJO...”

Duke vënë në dukje se kandidati republikan Donald Trump nuk merrte pjesë në darkën e këtij viti, Presidenti Obama u mor dhe me aftësitë e tij në politikën e jashtme.

“Thonë se Donaldit i mungon eksperienca në politikën e jashtme për t’u bërë president. Por, për të qenë të drejtë, ai ka kaluar vite të tëra duke u takuar me udhëheqës nga gjithë bota, si: Miss Suedia, Miss Argjentina dhe Miss Azerbajxhani.”

Duke bërë humor me largimin e tij nga posti në fund të këtij viti, Presidenti Obama shpotiti politikanët në Uashington dhe jo vetëm.

“Nuk janë vetëm anëtarët e Kongresit, por edhe disa udhëheqës të huaj, që po i paraprijnë largimit tim. Javës që shkoi, Princi George erdhi në takim me rroba banjoje. Një shuplakë e vërtetë...”

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Obama falenderoi gazetarët për punën e tyre dhe bëri gjestin simbolik të rrëzimit të mikrofonit.

“Dua ta mbyll darkën time të fundit me korrespondentët duke ju thënë faleminderit. Krenohem me çfarë keni arritur. Ka qenë një nder dhe privilegj të punojmë së bashku për të forcuar demokracinë.

Dhe tani... Obama out.”

XS
SM
MD
LG