Lidhje

Vizita e Presidentit Obama në Kubë


Presidenti Barack Obama e përshëndeti përparimin e shënuar në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, ndërsa pranoi se të dyja palët vazhdojnë të kenë “mospajtime shumë serioze për çështjen e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut”.

Këto komente Presidenti i bëri pas bisedimeve me presidentin kuban Raul Castro në Havanë, lidhur me mënyrat për të çuar përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve dy-palëshe.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me zotin Obama, presidenti kuban Castro e mirëpriti lehtësimin e kufizimeve të tregtisë dhe udhëtimit që njoftoi Uashingtoni, por theksoi nevojën për veprim në heqjen e embargos 55-vjeçare ndaj vendit komunist.

Zoti Castro po ashtu i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i kthejnë Kubës territorin e përdorur për bazën detare në Gjirin e Guantamos.

Obama dhe Castro shtrëguan duart para se të shkonin për bisedime tek Pallati Revolucionar, një ditë pasi Presidenti Obama filloi një vizitë historike në Kubë, duke u bërë i pari president amerikan, në rreth 90 vjet, që shkon për vizitë në ishullin komunist.

Presidenti Obama e filloi ditën e dytë të vizitës së tij 3-ditore, me një ceremoni me vendosje kurore tek monumenti i heroit kuban të pavarësisë Hose Marti, tek Sheshi i Revolucionit.

“Është një nder i madh të nderosh Jose Martin, i cili ja kushtoi jetën pavarësisë së vendit të tij. Pasioni i tij për lirinë dhe vetëvendosjen jeton sot mes popullit kuban”- shkruante Presidenti Obama në librin e përshtypjeve.

Presidenti Obama u prit dje me brohoritje dhe me thirrjet entuziaste të kubanëve, ndërsa autokolona e tij kalonte nëpër rrugët e Havanës.

XS
SM
MD
LG