Lidhje

Presidenti Obama, vizitë historike në Kubë


Presidenti Obama niset sot për një vizitë historike në Kubë, ndërsa të dy vendet po përpiqen të normalizojnë marrëdhëniet pas 55 vitesh ndërprerjeje. Gjatë kësaj vizite të parë në Kubë pas 90 vjetësh të një presidenti të Shteteve të Bashkuara, zoti Obama do të mbajë edhe një fjalim për popullin kuban ku do të parashtrojë vizionin e tij për të ardhmen e marrëdhënies SHBA – Kubë.

Shtëpia e Bardhë thotë se vizita tre-ditore e Presidentit Obama dhe fjalimi i tij që do të transmetohet nga televizioni kubanez ditën e martë, është një fillim i ri në marrëdhënien ndërmjet dy vende ish-armike të Luftës së Ftohtë, si dhe një hap i mëtejshëm pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike tetë muaj më parë. Pak ditë më parë, Presidenti Obama foli në Departamentin amerikan të Shtetit.

“ Nëpërmjet diplomacisë, si dhe kurajos për të kthyer një faqe të re pas politikave të pasuksesshme të së shkuarës, ne filluam një kapitull të ri anagazhimi me popullin e Kubës.”

Presidenti Obama e ka shndërruar rivendosjen e marrëdhënieve me Kubën, në një ndër arritjet unike të politikës së jashtme të administratës së tij, duke mbështetur argumentin se politika e vjetër amerikane për një izolim prej disa dekadash, pati dështuar.

Presidenti dhe familja e tij do të vizitojnë sot disa zona me vlera kulturore të Havanës së Vjetër. Nesër, ai do të takohet me Presidentin kuban Raul Castro, si dhe me biznesmenë kubanë për të diskutuar për shkëmbimet SHBA – Kubë. Një darkë shtetërore është planifikuar të mbahet në Pallatin e Revolucionit.

Fjalimi që ai do t’i drejtojë të martën popullit të Kubës konsiderohet si kulmimi i vizitës së tij, si dhe një mundësi e veçantë për të reflektuar mbi historinë e komplikuar midis Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, si dhe për të parashtruar vizionin e tij për të ardhmen e marrëdhënies drejt një jete më të mirë për popullin kuban. Megjithë kundërshtimet e qeverisë kubane, Presidenti Obama planifikon të takohet edhe me aktivistë të të drejtave të njeriut dhe anëtarë të shoqërisë civile.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG