Lidhje

Obama dhe Kalderon bisedime mbi përpjekjet e luftës kundër drogës

  • Robert Raffaele

Obama dhe Kalderon bisedime mbi përpjekjet e luftës kundër drogës

Obama dhe Kalderon bisedime mbi përpjekjet e luftës kundër drogës

Presidenti Amerikan Barak Obama ka pritur homologun e tij meksikan Felipe Kalderon, për bisedime mbi përpjekjet kundër luftës së dhunshme të drogës dhe për të vendosur sigurinë në të dyja anët e kufirit.

Zoti Obama u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se Shtetet e Bashkuara dhe Meksika po thellojnë bashkëpunimin në luftën kundër kartelave të drogës. Ai e rikonfirmoi mbështetjen amerikane për betejën e Meksikës kundër trafikantëve të drogës. Ai tha se dhuna në Meksikë ka marrë jetën e dhjetëra mijëra njerëzve, dhe vuri në dukje vrasjen e fundit në Meksikë të një agjenti amerikan të doganave.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara po marrin hapa për të pakësuar kërkesat për drogë dhe ndalimin e qarkullimit të armëve në drejtim të Meksikës.

Zoti Kalderon gjithashtu nënvizoi nevojën për bashkëpunim në luftimin e sfidave të përbashkëta.

Më shumë se 34 mijë njerëz janë vrarë që kur presidenti Kalderon filloi luftën kundër kartelave të drogës në vitin 2006. Ai ka dislokuar mijëra trupa në luftën kundër karteleve të drogës.

Sulmi i 15 shkurtit në Meksikë, kur persona të armatosur qëlluan dy agjentë amerikanë të imigracionit dhe doganave, duke vrarë njërin prej tyre, vuri në pah përsëri rrezikun vazhdueshëm të luftës kundër drogës.

Sulmi ndodhi ndërkohë që dhuna mes bandave rivale meksikane të drogës është shtuar dhe ky është incidenti i fundit që ka rritur tensionet mes zyrtarëve amerikanë dhe meksikanë.

Në një intervistë të fundit në gazetën meksikane El Universal, presidenti meksikan Felipe Kalderon, fajësoi përsëri Shtetet e Bashkuara se nuk kanë bërë më shumë për të reduktuar kërkesën për drogë dhe kalimin e armëve në Meksikë.

Zoti Kalderon shprehu zemërim për mesazhet e diplomacisë amerikane të publikuara nga Wikileaks, ku diplomatët amerikanë jepnin vlerësime jo të mira për përpjekjet e sigurisë së qeverisë meksikane. Ai i akuzoi diplomatët se i kishin ekzagjeruar shqetësimet e për t’u bërë përshtypje shefave të tyre.

Drejtori i Zyrës Amerikane për Politikat Kombëtare të Kontrollit të Drogës Gil Kerlikovski thotë se Shtetet e Bashkuara kanë dy synime në luftën ndërkufitare kundër drogës.

“Reduktimi i dhunës është shumë i rëndësishëm. Synimi tjetër do të ishte kalimi i përgjegjësive nga ushtria tek forcat policore civile të besueshme, profesionale dhe kompetente.”

Drejtori i Insitutit për Meksikën në Qendrën Udrou Uilson, Endrju Sili, thotë se mungesa e besueshmërisë së publikut meksikan tek policia është vetëm një prej shumë problemeve.

“Së dyti, prokurorët nuk i dërgojnë shumicën e çështjeve në gjyq. Nuk ka shumë mundësi për të mbledhur prova dhe ka shumë korrupsion tek prokurorët. Prandaj njerëzit u shpëtonë akuzave me lehtësi. Pastaj, sistemi i drejtësisë dhe gjykatave nuk gëzon besueshmëri.”

Zoti Sili thotë se Meksika ka ndërmarrë reforma të mira kushtetuese për të forcuar sundimin e ligjit. Ai shton se Shtetet e Bashkuara mund të japin ndihmë në fushat kryesore, duke përfshirë mjekësinë ligjore dhe këshillime nga gjykatësit dhe prokurorët amerikanë.

“Pra një mundësi për të pasur një dialog me njerëzit dhe për t’i ndihmuar homologët meksikanë në punën e tyre dhe për të nxitur krenarinë në profesionin e tyre përmes bashkëpunimit me homologët amerikanë. Dhe kjo do të shkonte përtej përpjekjeve të qeverisë federale.”

Vënia e theksit tek sundimi i ligjit mund të mos ndodhë shpejt në Meksikë. Që kur Felipe Kalderon u bë president në vitin 2006 dhe filloi operacionet kundër karteleve të drogës, më shumë se 24 mijë veta janë vrarë në Meksikë.

XS
SM
MD
LG