Lidhje

SHBA do të vazhdojnë goditjet me avionë pa pilot


Presidenti Obama mbrojti përdorimin e avionëve të tillë nga ana e administratës

Në një fjalim dje, Presidenti Obama mbrojti përdorimin e avionëve pa pilot nga ana e administratës, duke thënë se ato janë mënyra më e sigurt për të kryer luftën ndaj terroristëve. Përdorimi i avionëve pa pilot nga ana e administratës është kritikuar ashpër, veçanërisht pas njoftimeve të së mërkurës nga qeveria amerikane se goditjet nga avionë të tillë kanë shkaktuar vdekjen e katër shtetasve amerikanë në Yemen dhe Pakistan që nga viti 2009.

Goditjet me avionë pa pilot kanë qenë një aspekt i debatueshëm i politikës së sigurisë amerikane dhe Presidenti Obama nuk kërkoi falje për përdorimin e tyre nga Presidenti Obama. Ai tha se goditjet kanë qenë ligjore dhe efektive.

“Dhjetra komandantë të al Kaidës, persona që stërvisnin rekrutë dhe që prodhonin bomba, operativë janë eliminuar nga fusha e betejës. Komplote që mund të kishin vënë në shënjestër aviacionin ndërkombëtar, sistemet amerikane të tranzitit, qytetet evropiane dhe trupat tona në Afganistan, janë parandaluar. Që ta themi më thjesht, këto goditje kanë shpëtuar jetë njerëzish”.

Presidenti tha se i vjen keq për humbjen e jetëve të pafajshme. Ai gjithashtu përmendi kufizime të reja, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të përdorin goditje me avionë pa pilot vetëm për terroristët që nuk mund t’i kapin.

“Dhe para çdo goditjeje, duhet të kemi një siguri thuajse 100 për qind se nuk është vrarë apo plagosur asnjë civil, standardi më i lartë që mund të vendosim”.

Por zoti Obama nuk dha shenja se programi i avionëve pa pilotë po ngadalësohet dhe teknologjia e re e këtyre avionëve po vazhdon të zhvillohet.

Këtë muaj, marina bëri një provë me një avion të ri pa pilot, X-47B që është në gjendje të niset nga aeroplanmbajtëset, një zhvillim që do ta zgjerojë perimetrin deri ku mund të shkojnë këta avionë.


Vendosja e avionëve pa pilot në aeroplambajtëse do të thotë që ka më pak implikime politike që kanë lidhje me përdorimin e territoreve të vendeve të tjera për operacione pa pilot.


X-47B ka të njëjtat aftësi si një avion ushtarak dhe ekspertët besojnë se me kalimin e kohës do të zëvendësojë avionët luftarakë.

James Lewis është analist në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

“Kjo do të thotë të kesh aftësinë të bësh atë që duhet në luftime pa pasur nevojë për një person në kabinën e pilotit. Mund të jetë dikush në kabinë disa milje larg, apo një lloj drejtimi nga distanca, por në thelb prirja më e mundshme është rritja e rrezes së veprimit, më shumë funksione automatike, dhe më shumë mbështetje tek makineritë”.

Kjo do të thotë që të ketë më pak nevojë për të rrezikuar jetën e trupave amerikane. Me sondazhet që tregojnë se amerikanët janë të lodhur nga lufta prej më shumë se një dekade në Afganistan dhe Irak, përdorimin i këtyre mjeteve për të kryer disa funksione, është një alternativë e pranueshme politikisht për udhëheqjen amerikane dhe që do të vazhdojë për një kohë të gjatë.

XS
SM
MD
LG