Lidhje

Obama: E ardhmja që meritojnë libianët është brenda mundësive të tyre

  • Dan Robinson

Obama: E ardhmja që meritojnë libianët është brenda mundësive të tyre

Obama: E ardhmja që meritojnë libianët është brenda mundësive të tyre

Presidenti amerikan Barak Obama tha të henën se populli i Libisë është pranë arritjes së të ardhmes së tyre që ata meritojnë ndërkohë që sundimit 42 vjeçar të Moammar Gadhafit i vjen fundi. Presidenti foli në Martha’s Vineyard në Massachusetts ku zoti Obama po kalon pushimet me familjen e tij.

Në dekleratën e tij, presidenti tha se situata mbetet e paqëndrueshme por është e qartë se libianët janë në prag të arritjes së të ardhmes që ata meritojnë.

“Ende mbetet një shkallë pasigurie dhe ende ka elemente të regjimit që përbëjnë kërcënim. Por është shumë më e qartë, regjimit të Gadhafit po i vjen fundi dhe e ardhmja e Libisë është në duart e popullit të saj.”

Zoti Obama tha se sapo ishte takuar me ekipin e tij të sigurisë kombëtare dhe kishte folur në telefon me kryeministrin britanik David Cameron. Festimet nëpër rrugët e Libisë, tha ai, tregojnë se përpjekja për dinjitet njerëzor është më e fortë se çdo diktator. Por presidenti Obama paralajmëroi se ndërkohë që bie qeveria libiane, disa elementë kërcënojnë në zgjatjen e luftimeve.

“Megjithëse është e qartë se regjimi i Gadhafit ka përfunduar, ai ende ka mundësinë për të reduktuar gjakderdhjen e mëtejshme duke i dorëzuar pushtetin popullit të Libisë dhe bërë thirrje atyre forcave që vazhdojnë të luftojnë që të ulin armët për të mirën e Libisë.”

Me vështrimin përpara, zoti Obama i bëri thirrje Këshillit Kombëtar Kalimtar që të vazhdojë të ndërmarrë hapa për të sjellë një tranzicion paqësor, përfshirës dhe të drejtë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Këshillin Kombëtar Kalimtar me asetet e qeverisë së Gadhafit që u ngrinë më herët këtë vit.

Zoti Obama tha se Shtetet e Bashkyuara, NATO dhe partnerë të tjerë do të vazhdojnë të ndihmojnë në sigurimin e popullit të Libisë ndërkohë që ata që i quajti “elementë të mbetur të regjimit” kërcënojnë pjesë të vendit. Presidenti gjithashtu ju drejtua atyre amerikanëve për të cilët ai tha se ngjarjet në Libi kanë një rezonancë të veçantë, duke theksuar vrasjen e shumë amerikanëve në akte terroriste të sponsorizuara nga qeveria e Gadhafit.

Për NATO-n, zoti Obama tha se ndërhyrja në Libi me ndihmën e shteteve arabe, tregon se kjo aleancë është më e afta në botë dhe demostron se çfarë mund të arrijë komuniteti ndërkombëtar kur janë të bashkuar.

Presidenti ju drejtuar popullit libian me këto fjalë:

“Një oqean na ndan ne por jemi të bashkuar në dëshirën themelore njerëzore për liri, drejtësi dhe dinjitet. Ishte revolucioni juaj dhe sakrificat tuaja kanë qënë të jashtëzakonshme. Tani, Libia që meritoni është brenda mundësive tuaja.”

Zoti Obama tha se pavarësisht se ka “sfida të mëdha përpara” ngjarjet në Libi janë një kujtesë se “frika mund të hapë rrugë për shpresa dhe se fuqia e njerëzve që përpiqen për liri mund të sjellë një ditë më të ndritshme.”

Në zhvillime të tjera, Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton foli me shefin e Këshillit Kombëtar Kalimtar Mustafa Abdul Jalil, për të diskutuar përpjekjet për të formuar një qeveri të re përfshirëse.

Zonja Clinton po ashtu foli me Jeffrey Feltman të Departmanetit të Shtetit për diplomacinë në Lindjen e Mesme i cili sapo përfundoi një vizitë në qytetin Benghazi të Libisë dhe të dërguarin amerikan pranë Këshillit Kombëtar Kalimtar, Chris Stevens.

Zyrtartët ndërkombëtar të Grupit të Kontaktit në Libi, përfshi ministrat e jashtëm të Francës,Italisë, Gjermanisë, Turqisë, Norvegjisë, Suedisë, Danimarkës, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe zyrtarë të Katarit dhe Britanisë prite të takohen të enjten në Stamboll për të kordinuar hapat e ardhëshëm për Libinë.

XS
SM
MD
LG