Lidhje

Obama: Trupat amerikane do të ndihmojnë vendet e goditura nga Ebola

  • Luis Ramirez

Presidenti amerikan Barak Obama konfirmoi të martën dërgimin e mijëra trupave amerikane për të forcuar shërbimet shëndetësore në Afrikën Perëndimore, ku rreth 2.500 njerëz kanë vdekur nga shpërthimi i Ebolës.

Pas një takimi me ekspertë të shëndetit në selinë e Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve në Atlanta të Xhorxhias, Presidenti Obama tha se ushtria amerikane është në pozitë më të mirë për të përshpejtuar reagimin ndërkombëtar.

Presidenti Barak Obama shpalli një plan për të vënë nën kontroll përhapjen e virusit Ebola në Afrikën Perëndimore, duke thënë se bota është duke u mbështetur në Shtetet e Bashkuara për t'u përballur me sëmundjen që ka vrarë më shumë se 2.000 njerëz.

Presidenti Obama dje vizitoi Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve në Atlanta për t’u takuar me zyrtarë të shëndetësisë, ku njoftoi se Shtetet e Bashkuara janë duke dhënë kontributin e tyre në luftën kundër përhapjes së Ebolës që ai tha se ka dalë jashtë kontrollit dhe është një kërcënim i mundshëm ndaj sigurisë globale.


"Bota është drejtuar nga ne, Shtetet e Bashkuara, dhe kjo është një përgjegjësi që ne duhet ta marrim. Ne jemi të përgatitur për të marrë udhëheqjen në luftën kundër kësaj sëmundje duke siguruar lloje të ndihmave që vetëm Amerika mund t’i ofrojë dhe për të mobilizuar botën në mënyra që vetëm Amerika mund të bëjë".

Shtetet e Bashkuara, tashmë kanë ndarë më shumë se 100 milionë dollarë, kanë dërguar furnizime mjekësore dhe ekspertë që nga fillimi i përhapjes së Ebolës në mars.

Tani, Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë më shumë ndihma, përfshirë dislokimin e 3,000 trupave amerikane që do të ngrejnë një qendër ushtarake komanduese në Liberi dhe një qendër logjistike në Senegal për të lehtësuar transportin e ekspertëve dhe furnizimeve. Shtetet e Bashkuara do të ndërtojnë objekte spitalore dhe do të trajnojnë afrikanët për t’u marrë me përhapjen e Ebolës.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu do të dergojnë pajisje dhe do të ofrojnë trajnime të nevojshme për të ndalur përhapjen e sëmundjes. Ndërsa rreziku se epidemia mund të përhapet në Shtetet e Bashkuara është i ulët, Presidenti Obama tha se Ebola mund të ketë efekte destabilizuese në rajon dhe në botë.

"Në qoftë se përhapja e sëmundjes nuk ndalet tani, në të ardhmen mund të përballemi me qindra, mijëra njerëz të infektuar, me pasoja të mëdha ekonomike, politike dhe të sigurisë për të gjithë ne".

Përveç vënies së epidemisë nën kontrollit, strategjia e Presidentit Obama ka për qëllim të zvogëlojë edhe pasojat ekonomike dhe politike të sëmundjes në rajon. Liberia dhe Sierra Leone janë ende duke u rimëkëmbur nga luftërat civile shkatërruese.

Presidenti amerikan dje u bëri thirrje vendeve të tjera të përmbushin angazhimet e tyre për të dërguar më shumë personel, pajisje dhe para, dhe të shfrytëzojnë mundësinë për t’i shpëtuar jetën shumë njerëzve.

XS
SM
MD
LG