Lidhje

Ron Klain, përfaqësues i posaçëm amerikan kundër Ebolës


Presidenti Obama ka emëruar një përfaqësues të posaçëm për koordinimin e përpjekjeve për të luftuar virusin vdekjeprurës të Ebolës.

Shtëpia e Bardhë tha sot se ky zyrtar do të jetë Ron Klain, i cili ka qenë ndihmës për dy presidentë amerikanë.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë e deklaroi Senegalin si një vend pa raste të Ebolës, 42 ditë pasi Senegali kishte njoftuar për një rast të izoluar Ebole, të një personi që kishte hyrë atje nga Guinea.

Po sot, Sekretari i Shtetit John Kerry u tha diplomatëve të huaj në Uashington, se komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkëpunojë nga afër për të përballuar krizën e Ebolës. Ai tha se deri tani nuk është siguruar as një-e-treta e 1 miliardë dollarëve që kërkoi OKB-ja për të luftuar Ebolën.

Zoti Kerry tha se pa shtimin e ndihmave me shpejtësi, Ebola rrezikon të shndërrohet në një krizë globale, siç ka qënë dikur poliomeliti.

XS
SM
MD
LG