Lidhje

Egjipti dhe alternativat e Presidentit Obama


Ndërkohë që ushtria egjiptiane vazhdon goditjen e përgjakshme ndaj Vëllazërisë Myslimane dhe protestuesve tjerë, presidenti amerikan Barak Obama po përballet me gjithnjë e më pak alternativa për trajtimin e krizës. Zoti Obama ka refuzuar deri tani, të ndërpresë ndihmat amerikane ndaj qeverisë së përkohshme të Egjiptit.

Presidenti e ka bërë të qartë se administrata e tij po rishikon marrëdhëniet me ushtrinë e Egjiptit.

"Ne duam t'i mbajmë marrëdhëniet me Egjiptin, por bashkëpunimi ynë tradicional nuk mund të vazhdojë si zakonisht kur civilët vriten në rrugë dhe kur shkelen të drejtat," tha Presidenti.

Zoti Obama ka shmangur etiketimin si "grusht shteti" ndaj rrëzimit të presidentit egjiptian Mohamed Morsi nga ushtria muajin e kaluar. Një deklaratë e tillë do të ndalte automatikisht ndihmat amerikane për ushtrinë e Egjiptit që kapin 13 miliard dollarë në vit. Shtëpia e Bardhë është e shqetësuar se kjo do të pakësonte ndikimin amerikan tek udhëheqësit ushtarakë.

Disa myslimanë të njohur amerikanë, si zoti Mahdi Bray, shpresonin se reagimi amerikan do të ishte më i ashpër. Mahdi Bray, Aleanca Myslimano-Amerikane

"Ne, Aleanca Myslimano-Amerikane, ne duam ta bëjmë të qartë se do të vazhdojmë një fushatë të fuqishme që grushti i shtetit të mos shpërblehet me para, duke bërë thirrje për pezullimin e menjëhershëm të ndihmës financiare amerikane për Egjiptin si rrjedhojë e grushtit të shtetit, siç ishte në të vërtetë."

Megjithatë, Presidenti i anuloi stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Egjiptin.

"Ne kemi njoftuar qeverinë egjiptiane se do ta anulojmë stërvitjen ushtarake e cila ishte planifikuar për muajin e ardhshëm."

Tarek Radwan, drejtor i asociuar për kërkime në Qendrën Rafik Hariri të Uashingtonit, e quan këtë një hap pozitiv. Por ai thotë se aftësia e Shteteve të Bashkuara për të ndikuar në sjelljen e forcave të armatosura të Egjiptit po bie.

"Për shkak se angazhimi me Egjiptin ka qenë aq i kufizuar dhe i fokusuar ngushtë, ne kemi shumë pak alternativa, dhe në këtë mënyrë kemi ndikim shumë të vogël mbi atë që do të ndodhë tani. Një farë veprimi pak a shumë agresiv që mund të ndërmerrnim ishte në fakt pezullimi i ndihmës ushtarake. "

Udhëheqësi ushtarak i Egjiptit, gjenerali Abdel Fatah al-Sissi, ndoshta ishte i gatshëm të rrezikonte humbjen e ndihmës amerikane, sipas studiuesit Daniel Serwer, në Institutin për Lindjen e Mesme në Uashington, sepse fqinjët e Egjiptit thotë ai, po japin shumë më tepër ndihma.

"Unë mendoj se Gjenerali Sissi, para kësaj goditjeje, duhet ta ketë llogaritur humbjen e ndihmës amerikane. Ai ka llogaritur ndërkaq se kjo ishte një luftë për ekzistencë mes tij dhe Vëllazërisë myslimane, dhe se atij do t'i duhej ta bënte këtë për të mbijetuar."

Por zoti Tarek Radwan thotë se pezullimi i ndihmës mund të ketë një farë ndikimi. Ai nuk beson se ushtria egjiptiane dëshiron të rrezikojë marrëdhëniet me Uashingtonin.

"Ndihma nuk ka vetëm lidhje me paratë. Ajo ka lidhje me vetë marrëdhëniet. Ka lidhje me aftësinë për t'u angazhuar me Shtetet e Bashkuara, dhe prerja e ndihmave do të krijonte një ndjenjë izolimi që unë nuk mendoj se ushtria egjiptiane do ta pëlqente."

Ndërsa kriza në Egjipt vazhdon, politikat e zotit Obama ka të ngjarë të evoluojnë më tej.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG