Lidhje

Shtëpia e Bardhë, thirrje për qetësi në Egjipt


Presidenti Obama zhvilloi konsultime me Këshillin e tij të Sigurisë Kombëtare për të analizuar situatën në Egjipt. Pas takimit, Shtëpia e Bardhë nxori një deklaratë për shtyp ku thuhet se Presidenti amerikan dënon dhunën që vazhdon në Egjipt dhe shprehu shqetësim lidhur me polarizimin politik që po thellohet. Ai ritheksoi se Shtetet e Bashkuara nuk janë të lidhura dhe nuk mbajnë anën e asnjë grupi apo partie të caktuar politike egjiptiane. Bazuar në këtë qëndrim, zoti Obama hodhi poshtë pretendimet se Uashingtoni po bashkëpunon me grupe të caktuara në Egjipt për të diktuar rrugën që do të marrë tranzicioni.

Amerika, thuhet më tej në deklaratën për shtyp, mbetet e angazhuar ndaj aspiratave të popullit egjiptian për demokraci, mundësi ekonomike dhe dinjitet. E ardhmja e Egjiptit mund të vendoset vetëm nga populli egjiptian. Në këtë periudhë tranzicioni, vazhdon më tej deklarata, Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjithë egjiptianëve të bashkohen në një proces gjithëpërfshirës që lejon pjesëmarrjen e të gjitha grupeve dhe partive politike.

Në këtë proces, Amerika do të vazhdojë dialogun me popullin egjiptian në frymën e partneritetit, në përputhje me interesat e përbashkëta të të dyja vendeve, përfshirë interesin për një tranzicion drejt një demokracie të qëndrueshme.

Shtëpia e Bashkë bën thirrje përmes deklaratës që të gjithë udhëheqësit egjiptianë të dënojnë përdorimin e dhunës dhe të punojnë për të penguar akte të dhunshme nga përkrahësit e tyre, ndërkohë që kërkojnë që edhe demonstruesit të shprehin opinionet e tyre në mënyrë paqësore.

Ndërkohë që egjiptianët hedhin vështrimin drejt së ardhmes, thuhet në deklaratën për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, Uashingtoni u bën thirrje të gjitha palëve të kapërcejnë mospajtimet, të heqin dorë nga raprezaljet dhe të bashkohen për të rivendosur stabilitetin dhe demokracinë në Egjipt.
XS
SM
MD
LG