Lidhje

Obama kërkon 21 miliardë dollarë për infrastrukturën


Presidenti Barak Obama bëri thirrje dje për 21 miliardë dollarë investimeve publike dhe private për rrugët, urat dhe projekte të tjera publike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Kent Klain, na informon se presidenti synon të sigurojë amerikanët se ai vazhdon të jetë i përqendruar tek mëkëmbja ekonomike.

Zoti Obama tha se rindërtimi i infrastrukturës me ndihmën e investimeve private është një nga mënyrat më të mira për të krijuar vende pune për amerikanët.

Presidenti e bëri këtë thirrje në portin e Majemit në Florida, ku nga fondet publike dhe private po investohen dy miliardë dollarë për rikonstruksionin e infrastrukturës rrugore.

“Ka pak gjëra më të rëndësishme që ne mund të bëjmë për të hapur vende pune tani dhe për të forcuar ekonominë tonë për një kohë të gjatë se sa rikonstruksioni i infrastrukturës që fuqizon bizneset dhe ekonominë tonë, dhe që janë rrugët, urat, shkollat dhe portet tona, pikërisht si ky këtu”.

Presidenti dëshiron të tregojnë se Shtëpia e Bardhë është ende e përqendruar tek ekonomia megjithë fushatat më në zë, si kontrolli i armëve dhe reforma e imigracionit.

“Si president, përparësia ime kryesore është të siguroj se ne po bëjmë gjithëçka të mundëshme për të rigjeneruar rritjen e mirëfilltë të ekonomisë tonë. Dhe kjo është ngritja dhe suksesi i shtresës së mesme. Një ekonomi në rritje që krijon mundësinë e hapjes së vendeve të punëd për shtresën e mesme”.

Zoti Obama tha se dëshiron t’u japë fondeve të pensioneve të huaja statusin e përjashtimit nga taksat, kur bëhet fjalë për shitjen e infrastrukturës, pronave të luajtëshme dhe të paluajtëshme.

Ai bëri gjithashtu thirrje për kufij më të lartë për bonot e thesarit në nivel shtetëror dhe lokal që përdoren për investimet në projektet e infrastrukturës.

Presidenti përsëriti therrjen për një bankë kombëtare prej 10 miliardë dollarësh për infrastrukturën. Kjo ide fitoi pak mbështetje gjatë mandatit të parë të zotit Obama.

Presidenti mbështeti gjithashtu idenë për të filluar nga riparimet, duke shpenzuar 40 miliardë dollarë nga fondet qeveritare për riparime urgjente.

Propozimet e tij për nisma të reja janë bllokuar vazhdimisht nga republikanët në Kongres, të cilët janë të shqetësuar se shtimi i shpenzimeve qeveritare do të pengonte përpjekjet për uljen e deficitit kombëtar.

Kryetari i Këshillit Presidencial Ekonomik, Alan Krueger, tha të premten se shpenzimet për infrastrukturën, siç propozon presidenti, nuk e shtojnë deficitin.

Presidenti pritet të pëfshijë nismat e reja në plan-buxhetin që do të publikojë më 10 prill.

Shpenzimet e konsumatorëve në Shtetet e Bashkuara për muajin shkurt treguan rritjen më të madhe në pesë muaj, sipas të dhënave të Departamentit të Tregtisë.
Shpenzimet e konsumatorëve fuqizojnë rreth 70 përqind të ekonomisë kombëtare.
XS
SM
MD
LG