Lidhje

Obama: Nisma për novacione e arsim


Presidenti Obama ishte dje në Austin të Teksasit për të njoftuar hapat e reja që synojnë të nxisin sektorin e prodhimit industrial me qëllimin për të hapur vende të reja pune. Presidenti foli për rëndësinë që ka arsimi në fuqizimin e ekonomisë:

Vizita u zhvillua në kuadër të turneut që po bën zoti Obama me titull “Punë dhe Mundësi për Klasën e Mesme”. Presidenti po përpiqet të sigurojë mbështetjen e publikut për propozimet e tij për të forcuar ekonominë dhe për të krijuar vende pune.

Zoti Obama vuri në dukje atë që e cilësoi si prirje të kompanive amerikane për të kthyer disa operacione të prodhimit përsëri në vend, duke i dhënë shanse të reja ekonomisë për t’u rimëkëmbur nga recesioni.

Në fillim të vitit, zoti Obama i bëri thirrje Kongresit të investojë 1 miliard dollarë për të krijuar 15 qendra novacioni dhe prodhimi industrial në zona të vendit që, siç u shpreh presidenti, kanë mbetur pas globalizimit.

Presidenti i shfrytëzoi komentet e tij në një qendër të teknologjisë së lartë për të njoftuar planet për krijimin e tre qendrave të reja për novacione. E para do të jetë në Jangstaun të Ohajos.

Në shkollën e mesme teknike Manor New Tech, ai foli për hapat që po merren për të ulur koston e arsimit dhe për të zgjeruar mundësitë për arsim, duke thënë se rinia është çelësi për një klasë të mesme dinamike.

"Ekonomia jonë nuk mund të ketë sukses nëse të rinjtë nuk kanë aftësitë që u nevojiten për sukses. Pikërisht këtë po bën shkolla Manor New Tech. Për këtë arsye arsimtarë e drejtorë shkollash nga i gjithë vendi vijnë këtu për experiencë. Pasi çdo ditë kjo shkollë dëshmon se çdo fëmijë ka potencialin për të marrë aftësitë që do e bëjnë të suksesshëm në universitet e më tej”.

Shtëpia e Bardhë i ka cilësuar institutet e novacionit si “fabrika mësim-dhënieje” ku biznesi, universitetet dhe qeveria “investojnë së bashku” për të nxitur prodhimin dhe për të përgatitur studentët e punonjësit.

Gene Sperling është kryetar i Këshillit Kombëtar Ekonomik të Presidentit Obama:

"Këtu shohim bashkërendimin e punës kërkimore, aftësive, dhe potencialit për shpikje e përmirësime në teknologjinë e prodhimit, që mund të realizohet vetëm kur të gjitha palët mblidhen së bashku. Asnjë kompani nuk mund ta arrijë këtë e vetme, por së bashku gjejmë vullnetin për përparim”.

Presidenti Obama ka kërkuar një fond prej 200 milionë dollarësh për të mbështetur krijimin e tre qendrave për novacion.

Por zoti Sperling pohoi në komentet për gazetarët se shkurtimet automatike buxhetore mund ta ngadalësojnë projektin.
XS
SM
MD
LG