Lidhje

Zgjedhjet dhe Presidenti Obama

  • Jim Malone

Për presidentin Barack Obama zgjedhjet e mesit të mandatit për Kongresin e ardhshëm, që zhvilllohen të martën (4 nëntor), janë shumë të rëndësishme. Republikanët janë duke u përpjekur ta bëjnë Presidentin dhe punën e tij një çështje qendrore në fushatë, me shpresë për të fituar kontrollin e Senatit. Nëse ata e arrijnë këtë, zoti Obama do të mund të përballet me sfida të reja politike, në dy vitet e tij të fundit në detyrë.

Në një farë mënyre, zgjedhjet e këtij viti janë fushata e fundit për Presidentin Barak Obama - një shans për të fituar edhe një herë votues dhe për të ndihmuar demokratët të mbajnë shumicën në Senat.

"Unë nuk jam në fletën e votimit këtë vjeshtë. Dhe Michelle është shumë e lumtur për këtë. Por mos harroni. Këto politika janë në fletëvotim, secila prej tyre."

Republikanët kanë ngulmuar që ta bëjnë presidentin një pikë qendrore të fushatës së tyre kombëtare, duke përfshirë kandidatin republikan për senator Tom Tillis në Karolinën e Veriut.

"Nëse doni të njëjtat politika të dështuara të Presidentit Obama, do të votoni për Kay Hagan."

"Zoti Tillis dëshiron ta përqendrojë këtë garë tek Presidenti. Por kjo garë ka të bëjë me atë që do të përfaqësojë Karolinën e Veriut."

Shkalla e ulët e kënaqshmërisë publike ndaj presidentit ka bërë që shumë demokratë të mbajnë distancë prej tij.
Dhe aty ku ai shkon për të bërë fushatë, si në këtë takim elektoral në Maryland, zoti Obama fajëson menjëherë republikanët për bllokim politik.

"Ju e dini që ata janë kundër meje. Ju të gjithë e dini se në qoftë se unë propozoj diçka, ata janë kundër saj."

Presidenti dhe kolegët e tij demokratë janë në disavantazh këtë vit, thotë analisti John Fortier.

"Së pari, zgjedhjet në mesin e mandatit zakonisht kanë rezultat kundër presidentit, pavarësisht rrethanave. Dhe së dyti, presidenti nuk po paraqitet dhe aq mirë në sondazhet e opinionit publik. Ai është në nivelin e rreth 40 deri 42 përqind të njerëzve që mendojnë se ai është duke bërë një punë të mirë."

Shqetësimet për Ebolën dhe për kërcënimin e terroristëve të Shtetit Islamik i kanë bërë votuesit të ndjeshëm, thotë Thomas Mann i Institutit Brookings.

"Kjo kontribuon në një mjedis në të cilin njerëzit ndihen… sikur Presidenti nuk e ka nën kontroll situatën."

Demokratët kanë mirëpritur ndihmë në fushatë nga zonja e parë Michelle Obama, ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton dhe bashkëshorti i saj, ish-presidenti Bill Klinton.

"Nuk mund të përballosh të votosh kundër diçkaje. Duhet votuar për diçka."

Marrja e Senatit nga republikanët mund të ndryshojë balancën e pushtetit në Uashington, thotë anketuesi Frank Newport.

"Dhe nëse Senati ndryshon shumicë, pra nëse republikanët marrin kontrollin e tij, kjo do t’i bënte edhe më të vështira përpjekjet e Presidentit për të miratuar ligje ose për të punuar me Kongresin, pasi të dy dhomat do të ishin në kontrollonin e partisë kundërshtare."

Dhe do të vazhdonte ngërçi politik, thotë Thomas Mann.

"Por, ka qenë një përplasje me kaq ligësi dhe e ashpër, e shëmtuar dhe joproduktive – saqë nuk e di sesa mund të përkeqësohej."

Zoti Obama erdhi në pushtet me shpresën për të tejkaluar qendrimet partiake, ndërsa tani ka të ngjarë të përballet me testin e tij më të vështirë politik, në dy vitet e fundit të presidencës.

XS
SM
MD
LG