Lidhje

Presidenti Obama mbaron vizitën në Evropë


Presidenti amerikan Barack Obama përfundoi vizitën e tij të fundit zyrtare në Gjermani, pas një takimi me udhëheqës evropianë, ku u ra dakord që të vazhdojë bashkëpunimi përmes NATO-s. Bisedimet me udhëheqësit e Gjermanisë, Britanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës u përqendruan tek sfidat e sigurisë dhe ato ekonomike.

Shtëpia e Bardhë tha përmes një deklarate, se Presidenti Obama, Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti francez Francois Hollande, kryeministri italian Matteo Renzi, ai spanjoll Mariano Rajoy dhe kryeministrja brianike Theresa May, ranë dakord se duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku në organizma ndërkombëtare si NATO-ja dhe të çojnë përpara programin transatlantik.

“Udhëheqësit ranë dakord për nevojën për të punuar së bashku për të çuar përpara axhendën transatlantike, veçanërisht për të sjellë stabilizim në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, si edhe për të siguruar zgjidhjen diplomatike të konflikteve në Siri dhe Ukrainën lindore”, thuhej në deklaratë.

Marrëveshja e tyre vjen pas fitores në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, të Republikanit Donald Trump, i cili gjatë fushatës tha se nëse Rusia sulmonte një vend anëtar të NATO-s, ai do të shqyrtonte nëse vendi që ishte vënë në shënjestër kishte plotësuar angazhimet e mbrojtjes, para se të vendoste nëse do ta mbronte apo jo.

Udhëheqësit ranë dakord që të vazhdojnë t’i mbajnë sanksionet ndaj Rusisë lidhur me konfliktin në Ukrainën Lindore.

Takimi i zotit Obama me udhëheqësit evropianë, pasonte bisedimet që ai mbajti me një ditë më pare me kancelaren, Angela Merkel.

Ai i bëri thirrje zotit Trump, që t’i bëjë qëndresë Rusisë, duke thënë se shpreson që presidenti i zgjedhur të mbajë një “qëndrim konstruktiv” të ngjashëm me të tijin, “duke gjetur fusha bashkëpunimi me Rusinë, kur vlerat dhe interesat përputhen”.

“Shpresoj që të mos përqafojë një qëndrim realpolitik dhe të lërë të kuptohet se ne bëjmë disa pakte me Rusinë, nëse na intereson për momentin edhe nëse dëmtohen njerëz, apo shkelen normat ndërkombëtare apo ekspozohen vendet e vogla apo shkaktohen probleme afat-gjata në rajone si Siria”.

Udhëtimi i fundit i zotit Obama në Evropë si president, përfshiu vizita në Greqi dhe Gjermani.

Ai u nis sot për në Peru për të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë të Bashkpunimit të Azi-Paqësorit.

XS
SM
MD
LG