Lidhje

Presidenti Obama përcjell urime për Fitër Bajramin


Presidenti Barak Obama ka përcjellë urimet e tij për besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit.

Unë dhe Michelle u përvjellim përgëzimet më të ngrohta të gjithë atyre që festojnë Fitër Bajramin në Shtetet e Bashkuara dhe mbarë globin,” shprehet presidenti në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti vlerëson përmes deklaratës edhe kontributin e amerikanëve myslimanë për vendin:

“Amerikanët myslimanë janë po aq të larmishëm sa vetë kombi ynë – afrikano-amerikanë, latino-amerikanë, aziatiko-amerikanë dhe arabo-amerikanë. Në festën e Fitër Bajramit kujtojmë historinë tonë si komb i krijuar nga njerëz të të gjitha traditave; kujtojmë historinë tonë të lirive të besimit dhe të drejtave civile si dhe historinë tonë të novacioneve dhe forcës. Këto veti të trashëguara nuk do t’i kishim përftuar pa kontributin e amerikanëve myslimanë që e bëjnë vendin tonë edhe më të fortë”.

Në deklaratë, presidenti kujton edhe dhunën terroriste, që ai thotë se ka prekur edhe vetë komunitetin mysliman:

“Gjatë muajit të fundit, vendi dhe bota kanë duruar sfidat dhe dhunën e çmendur që na ka prekur zemrat dhe na ka lënduar shpirtin. I kemi në lutjet tona ata qindra jetë të pafajshme, shumë prej të cilave jetë myslimanësh, që u morën gjatë muajit të Ramazanit në vende si Orlando, Stambolli, Daka, Bagdati dhe Medina”.

Presidenti flet më tej për sulme të kryera kundër amerikanëve myslimanë në Shtetet e Bashkuara. Ai bën thirrje për përqafimin e vlerave më të mira amerikane përballë urrejtjes.

“Në këtë Ramazan, zotohemi të mbrojmë amerikanët myslimanë kundër paragjykimeve dhe ksenofobisë, ndërkohë që festojmë kontributin e tyre në mbarë vendin, përfshirë të njërit prej amerikanëve më të dashur, Kampionit të Popullit, Muhammad Ali, të cilit i dhamë lamtumirën këtë Ramazan. Unë dhe Michelle do të organizojmë këtë muaj festime në Shtëpinë e Bardhë për Fitër Bajramin dhe mirëpresim amerikanë nga i gjithë vendi në këtë festime. Urime nga familja jonë për familjet tuaja! Gëzuar Bajramin!”

XS
SM
MD
LG