Lidhje

Fjalimi i pres. Obama në Kuvendin e Demokratëve

  • Ilir Ikonomi

Presidenti Barak Obama mbajti mbrëmë fjalimin e mbylljes përpara kuvendit të Partisë Demokrate në Sharlot të Karolinës së Veriut, ku u bëri thirrje amerikanëve të bashkohen rreth një sërë objektivash konkrete për ta çuar vendin përpara. Zoti Obama e përdori fjalimin që u transmetua në rrjetet e mëdha televizive për të bindur votuesit e pavendosur që ata ta zgjedhin për një mandat të dytë.

Presidenti Obama e mbajti fjalimin vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve të 6 nëntorit, ndërkohë që anketat tregojnë se gara me rivalin e tij republikan Mitt Romney është mjaft e ngushtë.

Presidenti tha se fushatat mund të duken mediokre dhe gjërat e vogla e zhvendosin vemendjen nga problemet e mëdha. Por në fund të fundit, tha ai, janë votuesit ata që do të përballen me një zgjedhje të qartë.

"Në çdo çështje, ju të përballeni me alternativa që nuk do të jenë thejsht midis dy kandidatëve apo dy partive. Ato do të jenë alternativa mes dy rrugëve të ndryshme për Amerikën, alternativa midis dy vizioneve rrënjësisht të ndryshme për të ardhmen”.

Presidenti Obama tha se kjo është një betejë për të rivendosur vlerat që ndërtuan një klasë të mesme dhe një ekonomi të fuqishme, më të mëdhatë që ka njohur bota.

Në fjalimin e tij, megjithëse nuk e përmendi me emër kandidatin republikan Mitt Romney, Presidenti Obama kritikoi republikanët, të cilët, tha ai, janë mëse të lumtur kur flasin për gjërat që nuk shkojnë mirë në Amerikë, por nuk thonë se ç’duhet bërë për t’i ndrequr ato.

“Ata duan votën tuaj por nuk duan që ju të dini planin e tyre. Sepse ajo që ofrojnë ata nuk është gjë tjetër veçse e njëjta recetë që ata kanë patur për 30 vitet e fundit.”

Presidenti Obama tha se nuk pretendonte se rruga që ofron ai është e shpejtë apo e lehtë. Ai tha se ishte zgjedhur president për t’u thënë amerikanëve të vërtetën.

“Dhe e vërteta është, se do të duhen më shumë se disa vite për të zgjidhur sfidat që janë grumbulluar gjatë dekadave. Kjo do të kërkojë përpjekje të përbashkët, përgjegjësi të përbashkët, dhe atë lloj eksperimentimi të guximshëm e këmbëngulës që ndoqi Presidenti Franklin Roosevelt gjatë krizës së asaj kohe, që ishte e vetmja krizë më e rëndë se sa kjo e tanishmja.”

Presidenti shprehu besimin se problemet dhe sfidat mund të zgjidhen. Ai parashtroi një sërë objektivash për vendin që kanë të bëjnë me prodhimin industrial, energjinë, sigurimin kombëtar dhe deficitin dhe tha se fjala është për një plan të realizueshëm, i cili sipas tij do të krijojë më tepër vende pune dhe një bazë më të mirë për rindërtimin e ekonomisë.

Plani i presidentit parashikon krijimin e 1 milion vendeve të reja të punës në prodhimin industrial deri në fund të vitit 2016 dhe dyfishimin e eksporteve deri në fund të vitit 2014. Gjithashtu shkurtimin përgjysmë të importeve të naftës deri në vitin 2020.

Ai premtoi punësimin e 100.000 mësuesve të lëndëve shkencore gjatë 10 viteve të ardhshme, investimin në ekonomi të fondeve që do të ishin përdorur për luftën dhe uljen e defitit buxhetor me 4 trilion dollarë gjatë dekadës së ardhshme

Pasi renditi ato që ai i quajti suksese në politikën e jashtme, Presidenti Obama tha se rivali i tij republikan është pa përvojë në këtë fushë dhe la të kuptohet se, në Mitt Romney zgjidhet, ai do ta kthente Amerikën përsëri në luftën e ftohtë me Rusinë.

“Në fund të fundit, nuk mund ta quash Rusinë armikun tonë numër një – në vënd që të quash kështu al Kaidën. Duhet të jesh kthyer mbrapsht në luftën e ftohtë që ta bësh këtë”.

Ai kritikoi gjithashtu rivalin e tij, i cili e ka quajtur “tragjike” përfundimin e luftës në Irak. Ndërkohë, shtoi zoti Obama, kundërshtari i tij republikan nuk thotë se ç’duhet bërë për t’i dhënë fund luftës në Afganistan.

Në kohën që presidenti mbante fjalimin, fushata e zotit Romney bëri një deklaratë ku thoshte se zoti Obama parashtroi të njëjtat politika që nuk kanë funksionuar gjatë katër viteve të kaluara. Presidenti nuk i ka mbajtur premtimet e bëra katër vjet më parë, thuhej në deklaratë.

Dy kandidatët do ta zhvillojnë debatin e parë mes tyre pas një muaji.
XS
SM
MD
LG