Lidhje

Obama, në prag të udhëtimit të fundit jashtë vendit si president


Udhëtimi i fundit në detyrë i presidentit Barack Obama, vjen në një moment zhgënjyes për të, pas fitores së befasishme të republikanit Donald Trump, premtimet e së cilit për të përmbysur disa nga përparësitë e zotit Obama, kanë ngjallur shqetësime në shumë pjesë të botës. Zëvendës këshilltari për Sigurinë Kombëtare Ben Rhodes informoi gazetarët për udhëtimin e zotit Obama një telekonferencë të premten.

Zoti Rhodes e pranoi se fitorja e papritur e zotit Trump dhe ndikimi në marrëdhëniet dypalëshe dhe në marrëveshjet ndërkombëtare, ka gjasa të jetë çështja kryesore që duan të diskutojnë udhëheqësit botërorë. Presidenti Obama shkon fillimisht në Greqi, ku do të vizitojë Parthenonin dhe do të mbajë një fjalim në Athinë për sfidat që paraqet globalizimi.

Më pas, zoti Obama niset për në Gjermani, ku do të mbajë një takim dypalësh me kancelaren Angela Merkel dhe një konferencë të përbashkët shtypi të enjten. Ai do të takohet edhe me udhëheqës të Britanisë dhe Francës në Berlin. Që atje, Presidenti Obama shkon në Lima të Perusë, për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë për Bashkëpunimin Ekonomik të Azi-Paqësorit, APEC-ut,

Në kuadër të takimit, zoti Obama do të ketë takime dypalëshe me Presidentin kinez, Xi Jinping të shtunën dhe me kryeministrin Australian, Malcolm Turnbull të dielën.

XS
SM
MD
LG