Lidhje

Obama: E pafaktuar frika që mbjellin republikanët


Presidenti amerikan Barak Obama thotë se nuk ka baza reale për skenaret dhe analizat e frikshme që u dëgjuan në Kuvendin Kombëtar Republikan ku mori emërimin Donald Trump si kandidat i Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale.

“Të marrim dy shembuj specifikë: kur bëhet fjalë për krimin, ritmet e krimeve të dhunshme në Shtetet e Bashkuara kanë rënë gjatë presidencës sime krahasuar me çdo periudhë në 3-4 dekadat e fundit. Është e vërtetë që ka pasur një ngritje në numrin e vrasjeve dhe krimeve me dhunë në disa qyete këtë vit, por mbetet i pandryshuar fakti që ritmet e vrasjeve sot dhe ritmet e krimeve të dhunshme sot janë shumë më të ulëta se sa kur Ronald Regani ishte president dhe më të ulëta se sa në vitin kur unë u bëra president. Ne përjetuam tragjeditë në Luiziana dhe Minesota dhe dhunën e çmendur ndaj policëve. U prekëm thellë nga kjo dhe duhet të qëndrojmë përkrah forcave të rendit. Por mbetet fakt i pamohueshëm rënia e vrasjeve të qëllimshme të policëve në këtë preriudhë krahasuar me kohën kur Ronald Regani ishte president”.

Presidenti Obama i bëri komentet pas takimit me Presidentin e Meksikës Enrique Pena Nieto. Ai u ndal edhe tek tema e imigracionit:

“Mendoj se amerikanët kërkojnë një proces të rregullt dhe ligjor për imigracionin. Ne kemi angazhuar një numër të paparë punonjësish në kontrollin e kufirit. Ajo që ka rezultuar është se ritmet e imigrimit të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara sot janë më të ulëta se ritmet gjatë kohës kur Ronald Regani ishte president. Kemi një numër shumë më të vogël punëtorësh pa dokumente që kalojnë sot kufirin krahasuar me vitet 1980, 1990 apo me kohën kur George Bush ishte president”.

Vendimet e mirëpeshuara nuk merren bazuar mbi frikën dhe nuk ka baza reale për këtë frikë, vazhdoi më tej presidenti. Skenat e dhunshme të përshkruara gjatë kuvendit republikan, imazhi i ekzistencës së kaosit nuk janë fakte të realitetit për pjesën më të madhe të amerikanëve, u shpreh zoti Obama. “Uroj që njerëzit të jenë zgjuar sot dhe kur kanë dalë jashtë ta kenë parë se zogjtë këndojnë dhe dielli po ndrin përsëri”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG