Lidhje

Presidenti Obama fton ligjvënësit kryesorë në Shtëpinë e Bardhë


Presidenti Obama fton ligjvënësit kryesorë në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti Obama fton ligjvënësit kryesorë në Shtëpinë e Bardhë


Pas fitores së madhe të republikanëve në zgjedhjet e të martës, Presidenti Barak Obama ftoi ligjvënësit kryesorë republikanë dhe demokratë për një takim në Shtëpinë e Bardhë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain na informon se Presidenti do të diskutojnë se çfarë mund të bëhet para përfundimit të legjislaturës aktuale.

Pas mbledhjes së kabinetit dje, Presidenti Obama tha se duket se votuesit i dërguan atij një mesazh të qartë.

"Ata duan që ne të përqendrohemi tek ekonomia dhe vendet e punës dhe për ta çuar vendin përpara. Ata duan të sigurohen se paratë e taksapaguesve nuk shpërdorohen. Madje ata duan ndryshimin e tonit këtu në Uashington”.

Në legjislaturën e re të Kongresit që hapet në muajin janar, republikanët do të kenë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ku udhëheqësi i pakicës së tanishme Xhon Bojner të bëhet kryetari i saj. Shumica që demokratët kanë tani në Senat do të ngushtohet.

Më 18 nëntor, Presidenti Obama do të presë tetë ligjvënës të lartë nga të dy partitë për të diskutuar çfarë mund të bëhet në ditët e fundit të legjislaturës së tanishme të Kongresit.

"Ai do të jetë një takim në të cilin unë dua që ne të bisedojmë në hollësi se si ta çojmë përpara axhendën e popullit amerikan. Ai nuk do të jetë vetëm një takim për të bërë fotografi sëbashku”.

Presidenti e ka ftuar zotin Bojner në takim, sëbashku me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nenci Pellosi, si dhe Kryetarin e Senatit Heri Rid dhe udhëheqësine pakicës në Senat Miç Mekonëll.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs tha se presidenti shpreson që takimi me udhëheqës të Kongresit nga të dy partitë do të jetë i parë në shumë të tillë.

Ndërkohë që përpjekjet për të nxitur rritjen ekonomike do të jenë tema kryesore e takimit, zoti Obama thotë se ai do të theksojë nevojën që Senati të ratifikojë sëshpejti traktatin e ri START me Rusinë për pakësimin e armëve bërthamore.

"Kjo nuk është një çështje tradicionalisht demokrate apo republikane, por një çështje e sigurimit kombëtar amerikan. Shpresoj se ne mund ta bëjmë këtë para përfundimit të legjislaturës së tanishme dhe t’i dërgojmë një mesazh të fortë Rusisë se ne jemi të vendosur për pakësimin e arsenaleve bërthamore, por t’i dërgojmë edhe botës një mesazh se ne jemi të vendosur për mospërhapjen e armëve”.

Traktati i ri START parashikon pakësimin e arsenaleve bërthamore të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë me një të katërtën. Pas takimit të Kabineit, presidenti tha gjithashtu se shpreson se turneu i tij në Indi, në Indonezi, në Korenë e Jugut dhe në Japoni, që fillon të premten, do të sjellë më shumë vende pune për amerikanët.

"Qëllimi kryesor është që të hapen tregjet për kompanitë amerikane që mund t’i shesin prodhimet e tyre në Azi, në disa prej tregjeve të botës që po zgjerohen me shpejtësi, me qëllim që ne të kemi mundësi të hapin vende të reja pune këtu në Shtetet e Bashkuara”.

Presidenti tha se shpreson që të bëjë disa njoftime specifike gjatë turneut të tij për rritjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara.

Zoti Obama ka gjithashtu në plan të mbajë më 2 dhjetor një takim në Shtëpinë e Bardhë me guvernatorët e sapo zgjedhur të shteteve, shumica e të cilëve janë republikanë.

XS
SM
MD
LG