Lidhje

Presidenti Obama fton aleatët për takim të ngutshëm në Evropë


Presidenti Barak Obama ftoi sot udhëheqësit e vendeve aleate për një takim të ngutshëm në Evropë javën e ardhshme për të diskutuar mbi veprime të mëtejshme si kundërpërgjigje ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Caitlin Hayden tha se Presidenti Obama dëshiron të mbledhë udhëheqësit e Grupit të Shtatë vendeve dhe të Bashkimit Evropian gjatë një takimi të nivelit të lartë për çështjet bërthamore që do të zhvillohet javën e ardhshme në Holandë. Rusia është një nga të 53 vendet që pritet të marrin pjesë në takimin e Hagës.

Në një deklaratë, zonja Hayden tha se takimi që po organizon presidenti Obama "do të përqëndrohet tek gjendja në Ukrainë dhe hapat e mëtejshme që mund të ndërmarrë G-7a për t'iu përgjigjur zhvillimeve dhe për të mbështetur Ukrainën.''

G-7a përfshin Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Gjermaninë, Japoninë, Francën, Italinë dhe Kanadanë. Rusia iu bashkua grupit në vitet 1990, duke formuar të ashtuquajturin G-8, por pjesëmarrja e saj nuk ka qenë e rregullt në takimet e tyre vjetore. Vitet e fundit, G-8a ka qenë e eklipsuar nga Grupi i të njëzetëve, i cili përfshin Kinën dhe ekonomitë me zhvillim të shpejtë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG