Lidhje

Pres. Obama javën e ardhshme në G8 dhe në Berlin


Presidenti Barak Obama niset të hënën herët për në takimin e nivelit të lartë të grupit të tetëshes, që zhvillohet në Irlandën e Veriut si dhe për një vizitë në Berlin. Siç njofton nga Shtëpia e Bardhë Kent Klein i Zërit të Amerikës, konflikti në Siri dhe programet e qeverisë për përgjimin e tabulateve telefonike të amerikanëve do të jenë mes çështjeve kryesore të diskutimeve.

Takimi i G8-s zakonisht shihet si takim ekonomik, por këtë vit në një vendpushim të Irlandës së Veriut do të diskutohet rreth gjakderdhjes në Siri…
…dhe nëse 8 vendet më me ndikim të botës mund ta ndalin atë.

Presidenti rus Vladimir Putin është i vetmi mes udhëheqëve të këtyre 8 vendeve që mbështet Presidentin sirian, Bashar al-Assad. Ai shihet si personi kyç në arritjen e një marrëveshje të G8-s për Sirinë, thotë Scheherazade Rehman, drejtore e studimeve evropiane në Universitetin George Washington.

“Putinit i pëlqejnë gjëra të tilla. Ai është në qendër të vemendjes për këtë çështje. Ai e di mirë se pa të nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje me Assadin”.

Presidentët Obama dhe Putin do të takohen veças mes tyre dhe Siria ka të ngjarë të jetë çështja kryesore, thotë James Goldgeier, Dekan i fakultetit për shërbimet ndërkombëtare në Universitetin Amerikan.

“Skenari më i mire për të cilin mund të shpresohet është organizimi i një konference ndërkombëtare me pjesëmarrjen e palëve të ndryshme në konfliktin sirian. Dhe mbetet për t’u parë nëse udhëheqësit e G8-s mund ta arrijnë këtë objektiv apo nëse ngjarjet në terren nuk do ta lejojnë një konferencë të tillë”.

Por zoti Goldgeier beson se Presidenti Obama dhe Presidenti Putin mund të bashkëpunojnë për çështje të tjera.

“Ata janë që të dy të interesuar në luftën kundër terrorizmit. Mendoj se të dyja palët janë të interesuara që Irani të mos ketë armë bërthamore, madje janë të interesuar të zbusin situatën në gadishullin korean”.

Gjatë qëndrimit në Irlandën e Veriut, zoti Obama synon gjithashtu t’u japë shtytje bisedimeve për një marrëveshje të tregëtisë së lirë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, e cila mund të bëjë të mundur krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik nëpërmjet eliminimit të tarifave dhe barrierave.

Presidenti ka të ngjarë të përballet me çështjen e përgjimit të tabulateve telefonike nga qeveria amerikane si në Irlandën e Veriut ashtu edhe kur të takohet me kancelaren gjermane, Angela Merkel në Berlin gjatë javës së ardhshme. Scheherazade Rehman thotë se kjo çështje mund të ndërlikojë takimin e tyre.

“Agjencia e Sigurisë Kombëtare përdor përgjimet për programe të zbulimit në Lindjen e Mesme. Kohët e fundit është mësuar se kjo është bërë edhe në Evropë dhe veçanërisht në Gjermani. Dhe publiku gjerman ka shprehur pakënaqësi të madhe dhe me të drejtë sepse ata besojnë se qeveria amerikane po shkel të drejtat civile bazë jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por tani edhe në Evropën Perëndimore”.

Presidenti Obama do të flasë edhe tek porta e Brandenburgut në Berlin, afër vendit ku ai foli para një grumbulli prej rreth 200 mijë njerëzish gjatë fushatës presidenciale të vitit 2008.
XS
SM
MD
LG